
Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, është përplasur me Ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, gjatë një interpelance në Kuvend, duke e akuzuar qeverinë se po pengon ish-Presidentin Ilir Meta të ushtrojë të drejtën e tij për të komunikuar me mediat.
Blushi kërkoi llogari publike se përse Meta nuk lejohet të japë intervista, duke sjellë edhe shembuj të asaj që është duke ndodhur.
Sipas tij, intervista është kërkuar nga gazetari Andrea Danglli për emisionin Off The Record dhe për herë të parë ka marrë miratim nga Prokuroria e Posaçme, por është bllokuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve me argumentin e “ngarkesës institucionale”.
Në fjalën e tij, Blushi përdori një krahasim të fortë, duke përmendur rastin e opozitarit rus Alexei Navalny, të burgosur nga presidenti rus Vladimir Putin.
“Vladimir Putin nuk ia mohoi kurrë Alexei Navalnyt lirinë e shprehjes. Edhe nga burgu në Arktik, ku më pas humbi jetën, Navalny fliste lirshëm për mediat, denonconte kushtet çnjerëzore dhe kritikonte hapur regjimin”, u shpreh Blushi.
Sipas deputetit të Partisë së Lirisë, në Shqipëri po ndodh e kundërta. Ai tha se Ilir Meta ndodhet në izolim ekstrem dhe është privuar jo vetëm nga takimet me drejtuesit dhe simpatizantët e forcës së tij politike, por edhe nga komunikimi i lirë me mediat, në kundërshtim me rekomandimet e Avokatit të Popullit.
Blushi akuzoi drejtpërdrejt Kryeministrin Edi Rama për ndërhyrje politike, duke pretenduar se ndalimi i komunikimit të Metës me median është bërë “me urdhër politik”.
Nga ana e tij, Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari nuk dha një përgjigje konkrete dhe të detajuar lidhur me akuzat, ndërsa çështja pritet të vijojë të mbetet pjesë e debatit politik dhe institucional mbi të drejtën e komunikimit të personave të paraburgosur.
“Është kërkuar informacion nga IEVP Jordan Misja. Procesi është substancial dhe synon përmirësimin sistemik, në tërësi, në çdo IEVEP. Nuk ka një hetim administrative ndaj personelit të IEVP Jordan Misja. Në rekomandimet e AP nuk konstatohen shkelje administrative, prandaj s’mund të kërkojmë përgjegjësi disiplinore. Kur nuk mund të flitet për përgjegjësi administrative, s’mund të flitet për përgjegjësi penale”, tha Lamallari. (A2 Televizion)