“Territorialja”, Boçi: Nuk jemi noterët tuaj, ultimatumi i vendosur është i turpshëm

Nga A2 CNN
3 Shkurt 2026, 10:21 | Politikë

“Territorialja”, Boçi: Nuk jemi noterët tuaj,

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, gjatë fjalës së tij në Kuvend, ka akuzuar mazhorancën për shkelje të rregullores, imponim vendimesh dhe ultimatume politike në lidhje me komisionin e posaçëm për reformën territoriale.

Boçi theksoi se nuk ka pasur asnjë marrëveshje në Konferencën e Kryetarëve dhe se mbledhja e thirrur nga komisioni është e pavlefshme, shkruan A2 CNN.

“Nuk ka pasur marrëveshje në Konferencën e Kryetarëve, është diskutuar, është dhënë ultimatum për mbledhjen nga komisioni për reformën territoriale. Një mbledhje e komisionit, kur ka një kryetar, thirret përmes dakordësisë së kryesisë së komisionit. Kurse komisioni i posaçëm thirret me urdhrin e një bashkëkryetari. Nuk ka dakordësi, nuk ka konsultim, unë jam bashkëkryetari. Kjo mbledhje është nul dhe mbledhjet e tjera nuk janë thirrur në konsultim me kryesinë e komisionit, që përbëhet nga dy bashkëkryetarë.”

Ai akuzoi mazhorancën për shkelje të rregullores së parlamentit dhe për pazare politike: “Ku është rregullorja e parlamentit, pazar është këtu? Kjo është e turpshme. Më e turpshme është ultimatumi që u dha në Konferencën e Kryetarëve.”

Boçi vijoi më tej me akuza të drejtpërdrejta ndaj shumicës, duke ironizuar rolin e opozitës në këtë proces: “I morët të gjitha, merrni edhe komisionet e përhershme, pse nuk i merrni? Vijnë këtu anëtarët e komisionit të posaçëm dhe firmosin ndryshimin e përbërjes së komisionit. Noterët tuaj jemi ne?”

Ai u shpreh se reforma territoriale e kaluar ka dëmtuar rëndë vendin dhe paralajmëroi reagim publik: “E bëtë copë Shqipërinë me reformën territoriale. I themi qytetarëve, ne do jemi në shesh, ne do japim opsionin tonë, por jo me ju, jo me shumicën e imponuar nga ju. Me ju çfarë nuk shihet, çfarë nuk dëgjohet.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos