Berisha në prag të arrestit, votimi i heqjes së imunitetit në seancën e fundit

Nga Ervin Koçi
18 Dhjetor 2023, 20:21 | Politikë

Këshilli i Mandateve i dha autorizimin Prokurorisë së Posaçme që t’i paraqes gjykatës kërkesë arrestin për Sali Berishën. Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai shkuan përpara deputetëve për të prezantuar kërkesën për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj Sali Berishës. Argumenti i tyre i vetëm ishte refuzimi që Berisha i kishte bërë drejtësisë dy muajt e fundit.     

“Kemi ardhur këtu pasi personin në hetim nuk ka zbatuar në mënyrë të përsëritur vendimet e gjykatave”, tha Arben Kraja.

Masat më të rënda shtrënguese janë arresti i shtëpisë dhe arresti me burg ku fati Berishës tashmë duket se është në duar e Gjykatës së Posaçme. 

“Kemi kërkuar leje për të dyja pastaj në varësi të vendimmarrjen tonë si prokurorë do t’i kërkojmë gjykatës njërën nga këto, s’do i kërkojmë dy. Se çfarë do të bëjë gjykata e di ajo”, shtoi Kraja.

Këtyre akuzave Sali Berisha zgjodhi që t’i përgjigje nëpërmjet avokatëve të tij, të cilët kishin për SPAK një kërkesë të vetme.

“Nuk ka asnjë çështje korrupsioni në gjykatat shqiptare ku organi i akuzës me gjithë këtë këmbëngulje që bën të tregojë se kush e korruptoi zotin Berisha”, tha avokati Mëngjesi.

Në mungesë të një përgjigjeje nga Prokurorët, ata dhanë qëndrimin e tyre se çfarë përfaqëson ky proces ligjor.

“Truk për të anashkaluar kompetencën e kuvendit për të verifikuar provat e dyshimit të arsyeshëm”, shtoi Mëngjesi.

Mbrojtja e Berishës kishte përgatitur disa dosje voluminoze, të cilat duket se sosën durimin e kryetares së Kuvendit.

Diskursi juridik kaloi në atë politik kur fjalën e morën deputetët. Enkelejd Alibeaj ishte i vetmi opozitarë në mbledhje, por ajo që e afroi më shumë e maxhorancën nuk ishte vota, por mendimi.

“Lëvizja më e mirë politike do të ishte ajo e daljes publikisht dhe lënies me dëshirë me vullnet të mandatit”, tha Alibeaj.

“Berisha nuk ka qenë i favorizuar këto kohë, qoftë me vulën..”, u përgjigj Gjokutaj.

Maxhoranca nga ana e saj duket se kishte shumë kohë që dëshironte të bënte një votim të tillë. 

“Në këtë parlament përpara pak muajsh kemi hequr imunitetin të një deputeti të rëndësishëm të Partisë Socialiste, pra të maxhorancës, në këto raste sigurisht që ne nuk duhet t’i hynim fare as çështjesh në themel”, tha Çuçi.

Në finale të gjashta votat në sallë shkuan pro kërkesë së SPAK, ndërsa socialistët nuk nguruan që ta lidhnin votimin me aktualitetin politik.

“Zoti Berisha gjithë këto kohë nuk ka ndenjur kaq pasiv. Është duke mobilizur njerëz për të bllokuar punën e kuvendin”, u shpreh Ermonela Felaj.

Vendimarrja e Këshillit të Mandateve do të shkojë për votim të enjten në parlament, ku edhe aty miratimi kërkesës duket thjeshtë procedurë. Por pavarësisht kësaj, Berisha është i bindur se SPAK ka shkelur procedurat ligjore, dhe pret një vendimmarrje nga Gjykata Kushtetuese. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos