Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ftuar në studion e “Ditarit” me Loneta Prognin, në A2 CNN, i konsideroi zgjedhjet e 11 Majit si “betejën e jetës” së tij.
“Beteja e 11 majit është beteja e jetës sime. Unë isha ndarë pothuajse nga politika, kisha mbajtur një rol që vetëm ata që më njohin nga afër e kanë kuptuar. Unë edhe në diktaturë kam dalë në shkrimet e mia me kritika shumë të ashpra për regjimin. Edhe pasi u largova nga funksionet drejtuese unë mbajta dy linja kryesore: çështjen e Kosovës, sepse e kuptova që ndryshoi kursi. U shndërrua në çështje të negociatave sekrete midis 2-3 personave që hapën një skenar ndarjeje të Kosovës mes Shqipërisë dhe Serbisë. Ishte copëtim i Kosovës në favor të Serbisë”, tha Berisha.
“Ndiqja me forcë edhe veprimtarinë e krimit të organizuar sepse kërcënonte mediat dhe bizneset. Krimi i organizuar i mbështetur nga politika po bëhej i plotfuqishëm. Unë këto dy linja mbajta”, shtoi kreu i PD-së.
Kur u pyet nëse kjo është beteja e tij e fundit apo e radhës, Berisha u përgjigj: Anglezët thonë “never say never”. Nuk thua dot “kurrë më”. Kjo është beteja e fitores. Kjo betejë synon që këtë narkoshtet ta dërgojë aty ku meriton me votën e lirë. Unë shoh entuziazëm te shqiptarët, e kanë pritur shumë mirë programin tonë. Është programi më i mirë që kam imagjinuar ndonjëherë për vendin tim”. (A2 Televizion)