
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Kuvendit duhet t’i shkohet me prova dhe jo me “inçizim qesharak” për të kërkuar imunitetin.
“Ka më shumë të burgosur pa gjyqe, të cilët hanë e pinë me paratë e taksapaguesve, ndërkohë që mund të jenë atje komplet të pafajshëm, sesa të burgosur me gjyq. Hajde ta fusim se na ka ardhur një muhabet. Ku jemi këtu? Çfarë është një njeri i zgjedhur nga populli, kokë për t’u marrë si trofe në pjatën e pazarit dhe për t’u shëtitur në pazar në emër të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit pasi është zhgarravitur? Ra grupi i strukturuar kriminal për Ilir Beqajn. S’kam folur ndonjëherë për të për të respektuar vijën e kuqe. Po tani që ka një vendim, pasi u ngrit e ul si grup i strukturuar kriminal, tani s’paska pasur një grup të strukturuar. Këtu prokurori kërkon e gjykatësi vrapon. Në emrin tonë, jo. Me votën tonë, jo. Kur të vijnë herën tjetër, duhet të vijnë të armatosur me prova, si erdhën në 2 rastet e mëparshme. T’i vish Kuvendit me një procesverbal e incizim qesharak me një grua e dy gra? Duke na vënë në pozitë absurde që i kemi dhënë shpirtin betejës për Reformën në Drejtësi, u kemi vënë në dispozicion dhe lëkurën drejtësisë së pavarur”, tha Rama.
“Bëni c’keni për të bërë. Dinjiteti i Parlamentit nuk ka dalë në pazarin e gjësë së gjallë”, shtoi kryeministri.
(A2 Televizion)