Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza në drejtim të Edi Ramës, duke thënë se me ndikimin e tij, po mban në burg në mënyrë të paligjshme dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.
“Edi Rama mban të burgosur politik Jamarbër Malltezin, sepse ai si anëtar i Këshillit Kombëtar të PD dhe kryetar i Komisionit të Mjedisit, është absolutisht ndër më të parët që ka denoncuar në dhjetëra e dhjetëra debate televizive dhe me më shumë se 382 statuse në FB e tij, aferën e inceneratorëve, vjedhjen e shekullit. Është ai që ka denoncuar me dhjetëra e dhjetëra herë thjeshtrën e parë të vendit, vajzën e familjes Rama për dhjetëra tendera të fituar, në shkelje flagrante të Kushtetutës së vendit”, tha Berisha.
Sipas tij, vendimi i ndryshimit të destinacionit të një pjese të territorit të klubit Partizani është bërë nga vetë Rama duke theksuar seështë 100% i kundërligjshëm
“Rama mbrëmë tha: “Njëri thotë kështu, unë do them të kundërtën, ndërkohë këtu flitet për fakte dhe jo opinione. Leja e firmosur nga unë ka një hartë. Leja që erdhi si rezultat i ndryshimit për ligjin e sportit, ka një hartë. Nxirrni hartat dhe të shohin njerëzit në hartë. Ja ku janë terrenet sportive, vazhdon ai, fusha e Partizanit, etj. Ja edhe godinat me fotografi, ja edhe fushat e tenisit që kanë qenë te klubi i Partizanit. Leja që ka dhënë KKRT e Tiranës është ajo me të kuqe, që ka qenë hyrja djathtas e klubit. Ajo është leja. Leja me jeshile është e firmosur prej meje”.
Ja ku e keni, të firmosur prej tij. Me këtë deklaratë, ai pranon se ka ndryshuar me firmën e tij me 8 qershor 2006, nga zonë sportive, në zonë urbane të një pjese të territorit të klubit Partizani. Shtoj këtu se këtë ndryshim, Edi Rama e ka bërë në shkelje flagrante të ligjit. Dhe kjo është absolutisht e vetmja shkelje e ligjit, të cilin larot e tij, Kraja, Millonai dhe Gjoka kanë përmendur në dacibaon e tyre prej qindra faqesh.
Është e vërtetë se ky vendim është firmosur nga unë, Sali Berisha në datë 22 nëntor 2006, por është firmosur thjesht në rol noteri, pasi dhjetë ditë më parë, Gjykata Kushtetuese kishte rrëzuar më 10 nëntor 2006, ligjin që i lejonte qeverisë të ndërhynte në vendimet e Këshillit të Rregullimit të Territorit të bashkisë.
Unë kisha bërë një ligj që të ndërhyja, por ky ligj u rrëzua nga gjykata. Pra, vendimi i ndryshimit të destinacionit të asaj pjese territorit të klubit Partizani, është 100 përqind i kundërligjshëm, i dënueshëm dhe ka në bazë korrupsionin”, përfundoi Berisha. (A2 Televizion)