Berisha: Rama transportoi paratë me avion privat, Interpol dhe Eurojust të nisin hetimet

Nga A2 CNN
21 Korrik 2026, 12:47 | Politikë

Berisha: Rama transportoi paratë me avion privat, Interpol dhe Eurojust

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i bëri thirrje autoriteteve europiane të nisin hetimet për Kryeministrin Edi Rama pasi e akuzoi se ka nxjerrë para cash jashtë vendit përmes avionit privat.

“I bëj thirrje Prokurorit Publik të BE të ndërmarrë menjëherë hetime për këtë problem tmerrësisht shqetësues. I bëj thirrje Interpolit, Europolit dhe Eurojust të angazhohen në hetimet më serioze të Edi Ramës që sillet si diktatorët e dikurshëm të Afrikës, që mbushin avionët me kartëmonedha dhe i sjellin në banka të ndryshme. Ky hetim ka një vlerë dhe rëndësi të jashtëzakonshme për shqiptarët. PD do të vazhdojë kërkesën e saj për hetimin më të plotë të mundshëm”, tha Berisha në konferencë për mediat, përcjell A2 CNN.

Berisha i bazoi akuzat e tij te një deklaratë e deputetit të Parlamentit Evropian, Tomas Zdeçovski, i cili denoncoi Ramën si njeriun që përdor familjarët e tij për të transportuar para jashtë shtetit.

“Zoti Zdeçovski thekson se ne po ndjekim paratë. Po ndjekim pra këtë veprimtari kriminale të Edi Ramës me paratë e grabitura shqiptarëve ose paratë e trafikantëve shqiptarë. Kjo deklaratë në Parlamentin Evropian është bërë vetëm për diktatorë të tipit Gedafi dhe jo ndonjëherë tjetër për ndonjë lider të një vendi të lirë evropian. Deklarata e europarlamentarit në mediat shqiptare është aktakuza më e rëndë që i bëhet personalisht Edi Ramës dhe familjarëve të tij nga një personalitet i shquar në Parlamentin Evropian, i cili shprehet se po ndjekim paratë. Rikujton pra parimin e kapjes së mafies duke ndjekur paratë”, shtoi Berisha.

Berisha tha se PD ka paraqitur kërkesë për komisionin hetimor parlamentar për këtë çështje. “Ka të dhëna tronditëse. Ka të dhëna që provojnë transportin e parave. Ka të dhëna që faktojnë se valixhet diplomatike të qeverisë shqiptare, me Ismail dhe pa Ismail, janë numerikisht më të shumta se të gjitha valixhet diplomatike të Evropës. Ju keni parë dhe keni konstatuar ambasadat tona të implikuara në transporte droge. Por, deklarata bombë e europarlamentarit cek është një kontribut madhor pasi PD do rikthejë përsëri kërkesën për krijimin hetimor parlamentar për të hetuar transportin e parave dhe të drogës me avionin privat taksi të Edi Ramës në mbarë Evropën dhe më gjerë”, tha ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos