
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka bërë të ditur bilancin paraprak të personave që kanë marrë ndihmë mjekësore pas protestës së djeshme.
Në total, nga të dhënat paraprake rezulton se 61 persona kanë marrë ndihmë mjekësore në dy strukturat spitalore pas protestës së djeshme.
Sipas të dhënave nga strukturat spitalore, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 50 persona të lënduar. Prej tyre, 17 janë efektivë policie, 21 protestues, 6 gazetarë dhe 6 kalimtarë.
Nga këta, 5 persona vijojnë të jenë të shtruar në spital: një efektiv policie, dy protestues, një gazetar dhe një kalimtar. Ministria sqaron se njëri prej protestuesve të shtruar ka paraqitur kontuzion të bulbit okular dhe jo dëmtim nga trup i huaj në sy. Ai po ndiqet nga mjekët specialistë.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur 11 të lënduar, mes tyre 8 efektivë policie, një protestues, një punonjës sigurie dhe një deputet.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të gjithë personat e paraqitur në QSUT kanë lënë spitalin me këshillën e mjekut. (A2 Televizion)