Berisha reagon për protestën: Shqiptarët përsëritën 20 Shkurtin 1991, i organizuan Ramës funeralin e tij politik

Nga A2 CNN
5 Korrik 2026, 15:30 | Politikë

Berisha reagon për protestën: Shqiptarët

Dje shqiptarët përsëritën 20 shkurtin e vitit 1990 dhe me simbolizma organizuan funeralin politik të Edi Ramës”. Kështu u shpreh kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një video mesazh në rrjetet sociale duke përshëndetur shqiptarët që morën pjesë në protestën e 35-të kombëtare.

Sipas tij mbrëmë, qindra mijëra protestues përmbysën, para zyrave të tij, shtatoren e narkodiktatorit Edi Rama dhe i organizuan, me simbolizma, funeralin e tij politik.

Video-mesazhi i Kryetarit të PD, Sali Berisha:

Mirëdita.

Mbrëmë qindra mijëra shqiptarë, të mbledhur nga të katër anët e Shqipërisë dhe mbarë bota, ripërsëritën sipas njerëzve të agjencive më prestigjioze të lajmeve në botë, 20 shkurtin e vitit 1991.

Ditën në të cilën shqiptarët përmbysën dhe zvarritën shtatoren e Enver Hoxhës dhe së bashku me të përmbysën kultin më të keq në të gjithë historinë e tyre.

Mbrëmë, qindra mijëra protestues përmbysën, para zyrave të tij, shtatoren e narkodiktatorit Edi Rama dhe i organizuan, me simbolizma, funeralin e tij politik.

Sot në vend të dorëheqjes, Edi Rama urdhëroi përsëri, të provojë apo të reklamojë suksese dhe të anatemojë protestën e qytetarëve.

Ai foli për një korrje të zezë dhe ujërat që rrjedhin ndër të.

Në të vërtetë mbrëmë në Tiranë ishte deti i ujërave të pastërta të popullit shqiptar që kërkon largimin e kreut të meduzës dhe qeverisë së tij kriminale, organizatës kriminale.

Ndaj dhe një herë, kërkoj në emër të Partisë Demokratike, dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës dhe plotësimin e pesë kërkesave të protestuesve, të cilat janë kërkesa njëkohësisht të Partisë Demokratike.

Duke shprehur mirënjohje për ata qindra mijëra shqiptarë që protestuan dje në mënyrën më të fuqishme, më madhështore, garantoj se Partia Demokratike do të qëndrojë fuqishëm në mbështetje të protestës dhe kërkesave të tyre.

Sikundër denoncoj me forcën më të madhe qëndrimin indiferent, kërcënues, fyes të Edi Ramës dhe sejmenëve të tij.

Dhe paralajmëroj Edi Ramën edhe një herë, i cili para tre ditësh me krenari u shpreh se kishte monopolin absolut të dhunës:

Liro menjëherë të arrestuarit dhe hiq dorë nga dhuna.

Mos harro, se në përballje me popullin, fuqia nukleare i takon popullit dhe ajo është shkatërrimtare për ty dhe regjimin tënd. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos