
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dhënë vendimin për 17 të pandehurit e akuzuar për kultivimin e rreth 1.8 tonëve kanabis në sera në fshatin Drenovicë të Beratit.
Dy drejtuesit e grupit, Sadetin Hasaj dhe Blerim Xheka, janë dënuar me nga 8 vjet e 8 muaj burg secili, pasi përfituan ulje të dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Me nga 6 vjet e 8 muaj burg u dënuan Sidrit Bisha, Suad Smakaj, Jurgen Ujkaj, Samoel Lushaj, Endriol Xheka, Mirvaldo Disha dhe Hamdi Dyli.
Ndërkohë, Arben Vrapi, Adiol Çifliku, Lulzim Bushataj, Mustaf Manej, Bashkim Mema dhe Edison Mema u dënuan secili me 5 vjet e 4 muaj burg.
Gjykata shpalli fajtore edhe Drita Mema dhe Izmire Mema për kultivim të bimëve narkotike në bashkëpunim të thjeshtë, duke i dënuar me nga 4 vjet burg. Megjithatë, ekzekutimi i dënimit u pezullua dhe ato u vendosën në shërbim prove për një periudhë trevjeçare. Të dyja u shpallën të pafajshme për akuzën e pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal dhe ndaj tyre u shuan edhe masat e sigurimit. (A2 Televizion)