
Në protestën e kësaj të marte, 10 shkurt, Sali Berisha, u shpreh se revolta është rruga e vetme për të mbrojtur ëndrrën europiane.
“Rama, le prapa popullin për 13 vite me paga dhe pensione. Revolta dhe vetëm revolta për largimin e tij është rruga e vetme. Krim i vërtetë kundër njerëzit, lë shqiptarët pa ilaçe. Le qytetarët në mëshirë të fatit pas një përmbytje apokaliptike siç ndodhi në Durrës”, tha Berisha.
Ai u shpreh se Shqipëria është në momentin më kritik të 35 viteve të fundit. Berisha tha se kryeministri Edi Rama i ka shpallur luftë drejtësisë dhe po tenton grushtin e dytë të shtetit, por sipas kryedemokratit ai do të dështojë, falë protestës dhe qëndresës së qytetarëve.
“Zhvillimet e ditëve të fundit bëjnë që ne të mblidhemi sot në këtë shesh, në këtë bulevard, në kushte ndër më alarmantet, ndoshta jemi mbledhur në kryengritjen tonë paqësore, në momentin më kritik të Shqipërisë në 35 vitet e fundit. Ndaj më duhet ta nisë këtë fjalë me një shprehje që sot tingëllon më aktuale se kurrë: Ata që harrojnë të shkuarën janë të dënuar ta përsërisin atë", tha Berisha, raporton A2CNN.
"Edi Rama do të dështojë në grushtin e dytë të shtetit. Shkurti është muaji kur ne zvarritëm diktatorin dhe do ta çlirojmë Shqipërinë. Po të mos ishit ju Edi Rama do t’ia kishte dalë me grushtin e shtetit, por ai dështoi, sepse e denoncuam në kancelaritë europiane. Revolta juaj është zëri i ndërgjegjes qytetare, i dinjitetit qytetar, zëri i ndërgjegjes dhe dinjitetit kombëtar. Ne fituam një betejë të rëndësishme, por s’kemi fituar ende luftën. Rama i ka shpallur luftë sistemit të drejtësisë dhe nëse duam vërtet të shpëtojmë Shqipërinë, duhet që ta largojmë Edi Ramën që thotë s’e s’ka hequr dorë nga grushti i shtetit ta shpallim armikun më të pamëshirshëm të shqiptarëve dhe Shqipërisë", vijoi Berisha.
Gjatë protestës së sotme policia ka angazhuar rreth 1400 efektivë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat dhe strukturat e tjera.
Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA në rast nevoje. Po ashtu në gjendje gatishmërie janë edhe Shërbimet Shëndetësore, duke përfshirë dy ambulanca dhe maska kundra gazit. (A2 Televizion)