Berisha uron 7 Marsin: Arsimi në krizë të jashtëzakonshme, akademia mes Tom Doshit dhe Skënder Gjinushit

Nga A2 CNN
7 Mars 2026, 12:58 | Politikë

Berisha uron 7 Marsin: Arsimi në krizë të jashtëzakonshme,

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, uroi të gjithë mësuesit dhe pedagogët për kontributin e tyre në arsim, ndërsa theksoi se sistemi arsimor në vend ndodhet në një krizë të jashtëzakonshme.

Në një takim me mësues dhe pedagogë me rastin e 7 Marsit, kreu demokrat theksoi se edukimi dhe arsimi janë themeli i zhvillimit të një shoqërie, ndërsa roli i mësuesit është misionar.

“Urimet më të përzemërta të gjithë mësueseve dhe mësuesve, pedagogeve dhe pedagogëve, të gjithë mësuesve të sistemit parashkollor, në këtë ditë që mbarë kombi nderon mësuesin misionar si një misionar të tij të vërtetë. Misioni i tyre, misioni juaj është i një rëndësie përcaktuese më shumë se çdo mision tjetër për të ardhmen e një kombi. Ne vijmë sot në këtë ditë në kushtet e një krize të jashtëzakonshme të sistemit arsimor, të një rrokullisje të këtij sistemi shumë më të madhe se ajo që shohim në rrugë dhe urat e ndërtuara nga kjo qeveri”, u shpreh Berisha.

Ai deklaroi se sot sistemi arsimor po përballet me probleme serioze, të cilat sipas tij janë pasojë e politikave të gabuara dhe vendimeve që ai i cilësoi si antikombëtare. Sipas tij, një nga aktet më të rënda është bllokimi i doktoraturave në universitete.

“Shkaqet e kësaj gjendje katastrofale në arsim janë të mirëfillta antikombëtare. Dhe është naivitet në qoftë se ne nuk i vlerësojmë të tilla. Nuk mund të ketë akt më antikombëtar se sa të bllokosh me një urdhër doktoraturat në universitete. Do t’u them këtu, 46 vite më parë, jo doktoraturat e kolegëve të mi, por doktoratura të studentëve të mi, sepse në atë kohë studentët kishin të drejtë ose të jepnin provimin e shtetit, ose të mbronin një tezë, pra tezat e studentëve të mi unë i kam paraqitur në kongreset më prestigjioze ndërkombëtare, sepse ato të atilla ishin. Dhe kjo jo vetëm unë, por jam i sigurt edhe kolegë të tjerë. Pra, jo doktoraturat e mjekëve, por të studentëve, me studimet eksperimentale, ato ishin të këtij niveli”.

Berisha kritikoi edhe drejtimin e akademisë, duke deklaruar se ajo është kthyer në një objekt pazari politik mes Tom Doshi dhe Skënder Gjinushi.

“Dhe erdhi një frymë e paimagjinueshme, ku akademia tregtohej mes Tom Doshit dhe Skënder Gjinushit. Skënder Gjinushi i jepte partinë Tom Doshit, Tom Doshi blinte partinë dhe Rama i jepte akademinë. Ju, këtu përcaktuat me shumë përgjegjësi problematikat më të mëdha të arsimit parauniversitar, të arsimit profesional, të arsimit universitar”.

Berisha u ndal gjithashtu te rezultatet e dobëta të Shqipërisë në testin ndërkombëtar PISA, duke theksuar se vendi ka pësuar një rënie të ndjeshme në renditje.

“Por përcaktimet tuaja, konstatimet tuaja korrespondojnë plotësisht me të gjithë vëzhgimet ndërkombëtare për arsimin në Shqipëri. Nuk ka rënie më të madhe ky komb se sa rënia që pësoi në PISA, 69 pozicione. Kur ndodhi kjo? Sapo nga 9 vite, këtyre u përkisnin 8 vite. Sepse PISA merr 8 vite. Zbritja katastrofale. Nuk na shërben për gjë e shkuara, por për diçka po. Na shërben si një bazë për të ndërmarrë veprime për të ardhmen. Platformën për të ardhmen”.

Berisha theksoi se Partia Demokratike e Shqipërisë e konsideron arsimin si një përparësi absolute dhe premtoi se investimet në këtë sektor do të jenë në qendër të politikave të saj në të ardhmen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos