Ermal Nufi merr detyrën si Ministër i Mbrojtjes: Prioritet modernizimi i FA, rritja e kapaciteteve dhe rijetësimi i industrisë ushtarake

Nga A2 CNN
7 Mars 2026, 11:32 | Politikë

Ermal Nufi merr detyrën si Ministër i Mbrojtjes: Prioritet modernizimi

Modernizimi i Forcat e Armatosura, rritja e kapaciteteve dhe rijetësimi i industrisë ushtarake, janë disa nga prioritetet që theksoi ministri i ri i Mbrojtjes Ermal Nufi, gjatë fjalës së tij gjatë ceremonisë së marrjes së detyrës.

“Një nga prioritetet e kësaj Ministrie, sipas vullnetit politik te Kryeministrit mbetet zhvillimi dhe modernizimi i Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, ri-jetësimi i industrisë ushtarake, rritja e kapaciteteve për përballimin e emergjencave civile si dhe hapje e rrugës drejt inovacionit ne fushe e mbrojtës në përputhje të plotë me standardet e NATO për te garantuar efektivitetin e te gjitha strukturave tona”, tha Nufi.

Duke pëmendur konfliktet në botë, ministri theksoi se stabiliteti dhe paqja nuk janë kurrë të garantuara dhe se NATO mbetet garancia më e fortë për sigurinë e vendit tonë.

“Bota përreth nesh po ndryshon me shpejtësi. Lufta në Ukrainë ka rikthyer në qendër të vëmendjes rëndësinë e mbrojtjes kolektive dhe të gatishmërisë strategjike. Konfliktet dhe tensionet në rajone të ndryshme të botës na kujtojnë çdo ditë se stabiliteti dhe paqja nuk janë kurrë të garantuara. Në këtë realitet, NATO mbetet garancia më e fortë për sigurinë e vendit tonë. Shqipëria është një anëtare krenare e Aleancës dhe një partner i besueshëm. Si një vend anëtar i NATO-s dhe si një vend i përkushtuar ndaj integrimit evropian, ajo ka një përgjegjësi të veçantë për stabilitetin dhe sigurinë në rajonin tonë”.

Ministri Nufi theksoi gjithashtu rëndësinë e stabilitetit në Ballkan, duke kujtuar se rajoni ka përjetuar në të kaluarën konflikte dhe pasiguri. Sipas tij, sot përgjegjësia e vendeve të rajonit është të ndërtojnë një hapësirë bashkëpunimi dhe sigurie, një ndër to tha ai është edhe Korridori VIII, një projekt që ndihmon lidhjen e rajonit me Evropën dhe me aleatët strategjikë.

“Ballkani ka njohur në të kaluarën pasiguri dhe konflikte. Sot përgjegjësia jonë është të kontribuojmë që ky rajon të jetë një hapësirë stabiliteti, bashkëpunimi dhe sigurie për të gjithë. Në këtë kontekst, projekte strategjike si Korridori VIII marrin një rëndësi të veçantë për lidhjen strategjike të rajonit me Evropën dhe me Aleancën. Por në fund, forca e një institucioni nuk matet vetëm me pajisje apo struktura. Ajo matet me karakter. Me përkushtim. Dhe me ndjenjën e detyrës ndaj vendit. Kjo është përgjegjësia që mbajmë sot ndaj vendit tonë dhe ndaj aleatëve tanë. Një përgjegjësi që e mbajmë së bashku në emër të Atdheut, në shërbim të Sigurisë, dhe në besnikëri ndaj Aleancës sonë”.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos