Berisha uron Ditën e Verës nga Elbasani: Vitin tjetër do festojmë me dyert e Europës të hapura

Nga A2 CNN
14 Mars 2026, 11:15 | Politikë

Berisha uron Ditën e Verës nga Elbasani: Vitin tjetër do

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga Elbasani, ka uruar qytetarët për Ditën e Verës, duke e cilësuar si ditën e ndryshimit dhe të ripërtëritjes.

Berisha theksoi se kjo ditë kremtohet në kushte të pazakonta, pasi java e kaluar, sipas tij, shënoi mbylljen de-facto të dyerve të ëndrrës evropiane për Shqipërinë.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se për interesa personale ka penguar rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe tani po përballet me “armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm në stilin e etërve të tij”.

"Mirëdita dhe përshëndetje shumë të përzemërta. Është një nder shumë i veçantë për mua t’u takoj ju, përfaqësuesve të familjeve të këtij qyteti të bekuar, këtij qyteti që ka qenë burim drite dhe frymëzimi, dhe mbetet, për shqiptarët. Dita e Verës është dita e shpresës, dita e ndryshimit dhe fakti që ju e festoni këtë ditë më shumë se të gjithë shqiptarët dhe në mënyrën më të merituar, jeni sot kryeqyteti i vërtetë i festës dhe i kombit, dëshmon për dëshirën tuaj për ndryshim, dëshmon shpresën e pashuar të qytetarëve të këtij qyteti për një kohë më të mirë, për një ditë më të mirë, për një të ardhme më të mirë.

Unë kam shumë mirënjohje ndaj jush për të gjithë mbështetjen që ju i keni dhënë dhe i jepni PD-së, opozitës. Ne e kremtojmë këtë ditë në kushte më të pazakonta krahasuar me të gjithë të tjerat, sepse e vërteta është se java para kësaj dite shënoi de facto mbylljen e dyerve të ëndrrës tonë evropiane, të integrimit tonë në BE. Pra, këta që sot janë në pushtet apo ky që kryeson këtë organizatën qeveritare kriminale, ky për interesa të veta mbylli dyert dhe tani ka filluar betejën me armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm në stilin e etërve të tij.

Por Dita e Verës është dita e ndryshimit, është dita e ripërtëritjes, kështu që ne ecim të sigurt se ditën tjetër të verës do ta bëjmë shumë më mirë. Do t’i kemi dyert e ëndrrës tonë evropiane të hapura. Ju uroj dhe u falënderoj shumë për këtë pritje të ngrohtë. U uroj shumë suksese. Festë paçi gjithmonë!", tha Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos