Analisti Ben Andoni, i ftuar në emisionin “ÇdoKënd” në A2 CNN, komentoi editorialin e përbashkët të kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç në një media gjermane, duke ngritur pikëpyetje mbi nismën dhe përmbajtjen e tij.
Sipas Andonit, problematik është fakti që letra është paraqitur në emër të vendeve kandidate për Bashkimin Europian, ndërkohë që Kosova nuk është përfshirë.
“Është një letër në emër të vendeve kandidate. Sot a e di ti që Kosova nuk është një vend kandidat për Bashkimin Europian?
Vuçiç nuk ka interes që emri i Kosovës të përmendet në atë letër, por kryeministri shqiptar nuk mund të jetë bashkautor i saj”, u shpreh ai.
Analisti shtoi se veprime të tilla mund të kenë pasoja në të ardhmen për marrëdhëniet në rajon.
“Këto janë veprime të rrezikshme që lënë shenjë dhe pasoja. Është një lëvizje që mendoj se do t’ia shohim impaktin më vonë”, tha Andoni. (A2 Televizion)