Drejtoresha e Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Partinë Demokratike, Ilda Zhulali, duke folur në emisionin “çdoKënd” nga Merita Haklaj në A2CNN, tha se kryeministri Rama sot ka shmangur një lajm të keq të BE-së për Shqipërinë.
Sipas Zhulalit, lajmi ishte që Shqipëria ka mbetur në klasë, për shkak të vendimmarrjes së PS për të rrëzuar kërkesën e SPAK-ut, për t'i hequr imunitetin ish-zv.kryeministres.
“Z.Rama sot bëri çdo gjë për të shmangur lajmin, sepse lajmi i ditës sot është që në takimin e mbajtur në Bruksel, në formatin e grupit të vendeve që merren me paketën e zgjerimit, që përgatit dosjet për Këshillin e Ministrave dhe krerët e qeverive, ka qenë në diskutim Shqipëria dhe Mali i Zi. Për Shqipërinë do të diskutohej ai raporti që do vlerësohej se sa i ka përmbushur Shqipëria kushtet e ndërmjetme, të cilat janë të pandryshueshme, dhe që janë të lidhura me kapitullin më të rëndësishëm që prek çështjet thelbësore, që lidhen me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, me shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut, me shtyllat e demokracisë dhe funksionimin e një vendi demokratik, siç duam ne të bëhemi. Z.Rama sot u përpoq të vërë shenjën e barazisë dhe partneritetit, a thua se ne me BE-në jemi partnerë të barabartë. Në fakt ne duam të bëhemi vend anëtar. Kjo e bën automatikisht marrëdhënien tonë të pabarabartë. Lajmi sot i keq që u shmang nga z.Rama është që Shqipëria sot mbeti në klasë, dhe kjo erdhi si pasojë e vendimit që mori Rama për të mbrojtur Ballukun”, tha Zhulali. (A2 Televizion)