I përpiktë me orarin, në orën 11:13 avioni me të cilin udhëtoi Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, preku tokën shqiptare në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas.
Në vizitën e tij të parë në Shqipëri, shefi i diplomacisë amerikane u shoqërua edhe nga Yuri Kimi, ish-ambasadorja në Shqipëri, tashmë në një pozitë më të lartë në Departamentin e Shtetit. Mikpritësit e parë… Ministri i Jashtëm shqiptar Igli Hasani dhe i Ngarkuari më Punë i SHBA në vendin tonë David Wisner.
Pak qetësim në dhomat e hotelit për t’u drejtuar për tek ambasada, aty ku takoi stafin, dhe një përfaqësi të afganëve që strehohen në Shqipëri.
Blinkeni i shkoi në zyrë Presidentit të Republikës për gati 20 minuta takim. Bajram Begaj është edhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Piramida ishte destinacioni i radhës, për të takuar të rinjtë të cilët kanë marrë pjesë në programet e shkëmbimeve mes Shqipërisë dhe SHBA. Me këtë u përçua mesazhi se investimi tek të rinjtë do të jetë angazhimi themelor në nisjen e këtij shekulli të dytë në marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve.
Ndërsa Kryeministri u largua drejt selisë së qeverisë, Antony Blinken bisedoi me drejtuesit e institucioneve të Drejtësisë, të cilët prisnin tek Piramida në një ambient të veçuar. Pas 15 minutash, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, kreu i Gjykatës së Lartë, Drejtuesi i SPAK dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë dolën nga takimi ndërsa sekretari i Shtetit ju drejtua Kryeministrisë.
Mbështetja e SHBA ndaj drejtësisë ka qënë pikërisht një nga temat e diskutuara mes Sekretarit Amerikan të Shtetit dhe kryeministrit Rama. Këtë e pohuan të dy zyrtarët në konferencë për shtyp, madje Rama zbuloi që reforma në drejtësi do të vijojë.
Përjashtoi opozitën shqiptare nga agjenda zyrtare. Sekretari i Shtetit e konsideroi të panevojshëm takimin me ta.
Nga Tirana kryediplomati amerikan i dërgoi mesazh Kosovës dhe Serbisë që të ecin drejt rrugës së vetme, që sipas tij do t’i japë zgjidhje tensioneve.
Gjuhën diplomatike të zyrtarit të lartë amerikan e deshifroi Edi Rama për një apel të drejtpërdrejtë.
Pasi tha që muajin e ardhshëm do të përurohet edhe baza e NATO-s në Kuçovë, Blinken zbuloi që në takimin me dyer të mbyllura është diskutuar edhe për një bazë tjetër në Porto Romano. Por sipas tij ky do të jetë një vendim i Aleancës Euroatlantike.
Një merak i mbeti kryeministrit Rama,i cili tha se kishte shtruar tryezën e bukës, por miku nuk do t’i qëndrojë.
Me dy memorandume të firmosura dhe 8 orë takime në Tiranë, Antony Blinken përmbylli edhe vizitën në Shqipëri, duke u bërë kështu i gjashti Sekretar Shteti që vizitoi vendin tonë.
(A2 Televizion)