Boçi: PD nuk e bojkoton Komisionin e Reformës Territoriale, do të njoftoj Maznikun

Nga A2 CNN
2 Shkurt 2026, 17:03 | Politikë

Partia Demokratike nuk do ta bojkotojë komisionin e Reformës Territoriale. Këtë bëri të ditur deputeti demokrat dhe bashkëkryetari i komisionit të kësaj reforme, Luçiano Boçi në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së grupit të PD-së dhe pas thirrjes së kreut të grupit socialsit Taulant Balla i cili i la afat datën e sotme, opozitës, në të kundërt mazhoranca nesër do të vijojë me formulën e PS-së për “Territorialen”.

“Qëndrimi i shprehur i Partisë Demokratike pas diskutimeve në grupin parlamentar në kryesinë e vogël është që PD-ja do vijojë të jetë pjesë e komisionit të reformës zgjedhore në një mbledhje sa më të afërt të dakordësuar ndërmjet bashkëkryetarëve dhe do vazhdojmë me agjendën e komisionit, që është lënë për hir së vërtetës në momentin e zgjedhjes së sekretares të komisionit”, u shpreh Boçi, përcjell A2 CNN.

Sipas Boçit, mbledhja e fundit e komisionit është thirrur pa njoftimin dhe dakordësinë e bashkëkryetarëve, duke e konsideruar atë nul, pasi nuk ka pasur kuorum. Ai akuzoi mazhorancën dhe drejtuesit socialistë se po veprojnë në mënyrë arbitrare dhe jashtë etikës parlamentare.

“Sigurisht nuk bashkëpunojmë me Edi Ramën në nivele të tilla që konsiderohen si bashkëpunime politike. Kjo është çështje e një komisioni të rëndësishëm, të posaçëm, por më i rëndësishëm se ky komision është Këshilli i Mandateve dhe i Rregullores. Mos harrojmë që dhe aty anëtarësia është në paritet dhe ai komision është dështuar pikërisht nga mosmbledhja nga ana e mazhorancës, nga ana e zotit Peleshi, por dhe nga ana e zotit Balla që bën ultimatume me qëllim që të mbrojnë Ballukun me qëllim që mos i heqin imunitetit. Pra mbledhja konsiderohet nul”, vijoi Boçi.

Sipas Boçit, qëndrimi i PD-së, pas diskutimeve në grupin parlamentar, është i qartë: pjesëmarrje në komision, por me proces të rregullt, konsensual dhe në respekt të ligjit. Ai theksoi se reforma territoriale nuk duhet të paragjykohet dhe se çdo vendim duhet të vijë pas konsultimeve me pushtetin vendor, qytetarët dhe, kur është e nevojshme, përmes referendumeve.

“Në grup parlamentar ne diskutojmë në mënyrë demokratike. Ka debat secili nga deputetët jep mendimin e tij. Pati mendime që prevalonin në këtë drejtim. Unë e thashë që komisioni më i rëndësishëm është këshilli i mandateve. Kjo tregon shkallën e demokracisë. Duhet ta transmetoni si vlerë që paskemi ne debate, marrim vendime. A dëgjohet zëri i deputetit? Po u dëgjohet. Shumë mirë në Parti Demokratike. Dëgjohet dhe zëri i deputetit dhe i qytetarit. Ndodh kjo në kampin mazhoritar? Jo, nuk ndodh. Atëherë problemi është te ai që nuk ndodh, jo te pjesa që ndodh. Dhe ne nuk heqim dorë nga qëndrimi ynë. Duhet të ketë një finalizim, një dalje të vetme dhe kjo dalje duhet të jetë konsensuale. Përndryshe pastaj domethënë nuk ka përfundim. Paska qenë një presvendosur të cilit i mungon parada, rruga e përshkruar. Sepse e paskan pas gati të heqin dorë nga deklaratat që do zvogëlohet, do dali ky. Këto gjëra do dalin përgjatë funksionimit të komisionit”, theksoi deputeti demokrat.

Boçi shtoi se do të njoftojë bashkëkryetarin socialist të komisionit, Arbjan Mazniku, për gatishmërinë e PD-së për të vijuar punën dhe për të rënë dakord mbi një datë të re mbledhjeje. Ai paralajmëroi se nëse mazhoranca vijon me vendime të njëanshme, atëherë situata mund të përshkallëzohet politikisht. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos