Takime me qytetarët dhe informim për protestën e 10 Shkurtit. Këtë u kërkoi Sali Berisha të gjithë deputetëve demokrat, ku u tha se duhet të shtojnë orët e punës dhe të jenë në terren.
“Data 10 është një ditë tjetër shumë e rëndësishme e kryengritjes paqësore kundër regjimit. Ju jeni me njerëzit, me takimet, konstatoni se çfarë zemërimi ka për këto qëndrime, dhe këtë zemërim qytetarët do ta shprehin në rrugët, sheshet e Tiranës. Ndaj dhe kjo javë duhet të jetë një përkushtim i plotë dhe total në takime me qytetarë në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë”, u shpreh Berisha, përcjell A2 CNN.
Prej muajsh demokratët artikulojnë mundësinë e qëndrimit pa afat në bulevard, kërkesë që sipas Berishës është bërë edhe nga qytetarët, ndaj para deputetëve tha se ky është akt i pashmangshëm.
“Janë me qindra qytetarë që më shkruajnë dhe më thonë se nuk duhet të largohemi nga bulevardi pa larguar Edi Ramën. Ne drejt asaj do të shkojmë. Të themi të vërtetën. Ne drejt asaj do të shkojmë në mënyrë të pashmangshme, në mënyrë të sigurt”, theksoi Berisha.
Lideri demokrat deklaroi se protesta nuk do të jetë vetëm në Tiranë, por edhe para zyrave të Këshillit të Evropës nëse Edi Rama shkon në këtë seli.
“Po, do organizohet një nga protestat më të fuqishme sepse e meriton”, vijoi kreu demokrat.
Teksa kërkoi angazhim prej të tijve për tubimin e 10 Shkurtit, Berisha tha se e gjithë bota i ka sytë nga PD.
“E gjithë Europa pret protestën tonë. E gjithë bota pret protestën tonë”, apeloi ai. (A2 Televizion)