Deputeti i PD Besart Xhaferri tha se synohen protestat e vazhdueshme kundër Edi Ramës deri në rrethimin e Kryeministrisë dhe presionin deri në kancelaritë ndërkombëtare për t’i dhënë zgjidhje krizës politike.
Duke folur në "Puls" nga Bruna Çifligu në A2 CNN, Xhaferri tha:
"Besojmë shumë te protestat, besojmë shumë dhe te formati i protestave të vazhdueshme të cilat duhet të sjellin rrethimin e asaj Kryeministrie dhe presionin deri në kancelaritë ndërkombëtare për t'i dhënë zgjidhje krizës politike shqiptare. Sepse politika shqiptare sot është si ajo si ai tapeti që është fshehur çdo pisllik poshtë dhe akoma nuk ndihet se çfarë po ndodh dhe ne tani duhet t'i nxjerrim pisllikun kësaj qeverie dhe në kancelaritë ndërkombëtare në mënyrë që këtu të vijë dhe të bëhet një zgjidhje politike."
Në lidhje me pjesëmarrjen në protestën e thirrur nga Adriatik Lapaj, Xhaferri tha se është koordinuar me kreun e PD-së.
"Ne na ka ardhur një ftesë nga ‘Shqipëria Bëhet’ te PD për pjesëmarrje në atë protestë, jo në nivel politik, as për të mbajtur fjalim. Unë me një grup të rinjsh vendosëm për të shkuar, pasi u koordinuam me kryetarin e partisë. Është një sinjal që PD s’ka asnjë kompleks për të mbështetur protestat që janë kundër Edi Ramës dhe jo kundër opozitës. PD s’ka asnjë kompleks. Nuk ka asgjë jashtë linjës së partisë, kam qenë i koordinuar me kryetarin e PD-së. Është koordinim politik. Për të dhënë një sinjal që PD s’ka asnjë kompleks të mbështesë protestat kundër Ramës."
Xhaferri e konsideroi imediate dhe vitale që opozita të bëjë një bashkim protestash, që nuk duhet konsideruar bashkim forcash politike dhe as koalicion.
"Që opozita shqiptare ka nevojë të bëjë një bashkim protestash kjo është imediate dhe vitale dhe hapin e parë, sinjalin e parë, i takon ta tregojë partia më e madhe. Ka një lëvizje negociatash në opozitë, edhe me grupin e pedagogëve dhe intelektualëve, të kryesuar nga Hasimja. Ka një lëvizje për të bashkërenduar protestat. Jo bashkim forcash politike, jo bashkim ideologjik, jo koalicion politik, as koalicion zgjedhor, është vetëm një bashkëpunim për të bashkuar protestat në 2-3 gjëra konkrete që opozita shqiptare duhet t’i marrë me çdo çmim. Dëshira ekziston për të bashkuar protestat." (A2 Televizion)