
Nënkryetari i PD, Luçiano Boçi, u përplas me disa efektivë policia që kishin rrethuar godinën e Parlamentit, për të përballuar protestuesit e mbledhur aty. Pas një shtyrje mes efektivëve dhe protestuesve, Boçi iu afrua një polici duke e goditur dhe shtyrë.
Para përplasjes, ai u ankua duke thënë në një prononcim për A2 CNN se nuk e kuptoi se u hodh gaz lotsjellës te Kryeministria. “Nuk e kuptova pse reaguan ashtu. Sigurisht njerëz të kapur nga bandat nuk kanë asnjë lloj dhembshurie për njerëzit. Nuk mund të jenë drejtues policie, sikurse nuk mund të jetë Rama kryeministër”, tha ai. “Parlamenti dhe të tjerët, janë institucione që Rama i përdor për të fshirë këpucët dhe imazhin e tij. Të gjitha janë mekanizma që i shërben Ramës”.
Disa efektivë policie janë lënduar nga hedhja e molotovëve dhe fishekzjarrëve drejt godinës së Kryeministrisë në protestën e opozitës, shkruan A2 CNN. Policia ka njoftuar se efektivët e lënduar po marrin ndihmën e parë mjekësore. Më herët, një person u dërgua me ambulancë për trajtim mjekësor, pasi mbeti i lënduar në protestën e opozitës.
Forcat e rendit hodhën gaz lotsjellës dhe ujë pasi protestues lëshuan bomba molotov dhe fishekzjarrë drejt godinës së Kryeministrisë, sapo kryetari i PD, Sali Berisha, përfundoi fjalën e tij. Menjëherë protestuesit u shpërndanë, ndërsa Berisha raportohet se u largua me makinë drejt selisë së PD. (A2 Televizion)