Bonusi i qeverisë për pensionistët, Berisha: Janë paratë që Edi Rama u ka vjedhur nga mos indeksimi

Nga A2 CNN
18 Nëntor 2024, 15:50 | Politikë

Premtimin e Kryeministrit Edi Rama për dy dhe trefishim të bonusit të fundvitit për pensionistët, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilëson si tallje.

Teksa kërkoi mbështetjen e qytetarëve për protestën e së martës, përmes një deklarate për mediat, Berisha pohoi se në projekbuxhetin e vitit 2025 nuk parashikohet asnjë rritje pensioni dhe shtoi se bonusi prej 100 dhe 150 Eurosh është mekanizmi i radhës për blerjen e votës.

“Bonusi i fundvitit janë paratë që Edi Rama u vodhi pensionistëve nga muaji mars gjer në muajin tetor. Edi Rama çfarë bëri? Nuk ua dha, i mashtroi, i përçmoi, i përbuzi dhe shumën e krijuar nga marsi në tetor, do ta japë për bonus”, tha Berisha.

Berisha e cilësoi buxhetin për vitin 2025 si atë të vjedhjes më të madhe në histori. Lideri i opozitës prezantoi edhe 17 amendamente që do të mbrohen nga demokratët në Kuvend.

Kryefjalë e demokratëve do të jetë vendosja e minimumit jetik prej 200 Eurosh, por kërkojnë që të rritet mbështetja edhe për arsimin, shëndetësinë dhe bujqësinë, etj.

“Tre-fishimi i fondeve për ish te përndjekurit. Rritja me 10% e pagave te gjithë administratës publike. Rritja me 20% të pagave të mësuesve dhe pedagogeve. Katërfishim të subvencioneve për fermerët, blegtoret dhe agroindustrinë”, tha më tej kryedemokrati.

Pak para se të niste komunikimin me median, lideri i opozitës kishte marrë lajmin se Internacionalja e Qendrës Demokratike, e përberë nga 108 parti të djathta kishte miratuar rezolutën e demokratëve ku dënohet arrestimi i liderëve të opozitës shqiptare.

“Reforma e Xhorxh Sorosit merr një ndëshkim ndërkombëtar. Dënohet arrestimi i liderëve të opozitës. Shprehet mbështetje e plotë për PD-në dhe opozitën shqiptare”, tha më tej Berisha

Sipas tij, lajme të mira nuk ka vetëm nga Internacionalja e Qendrës Demokratike, por edhe nga Ambasada e SHBA, me të cilën pohoi se pas largimit të Yuri Kim kontaktet janë rilidhur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos