“Bordi i Paqes, PD ende pa vendim”, 21 janari, Berisha: Më rrethuan dhe qëlluan me plumba

Nga Anesti Barjamemaj
21 Janar 2026, 16:30 | Politikë

“Unë i kam thënë të gjitha për këtë ngjarje.” Në 15-vjetorin e protestës së 21 Janarit, ku mbetën të vrarë 4 qytetarë, Sali Berisha thotë se tubimi kishte agjendë politike dhe kauza ishte ngritur mbi bazën e një falsifikimi. Sipas tij Rama në atë kohë kryetar opozite, e kishte paralajmëruar.

“Prano zgjidhjen politike më thotë mua, ose do kalohet mbi kufoma”.

Deklaratat e Edi Ramës për drejtësi, Berisha i konsideron të rreme.

“Lotët që derdh janë lotët e krokodilit. Edi Rama i solli ata si mish për top për pushtetin e tij”.

I pyetur nëse vetë Berisha ka përgjegjësi për këtë ngjarje, ai dha këtë përgjigje.

“Sali Berisha u rrethua në zyrë. Përgjegjësia ime, se hidhnin gurë dhe plumba? E mohoi sot, por ato janë në dritare, të dokumentuara, plumbat dhe revolet e tyre janë të dokumentuara, drejt kryeministrit që ishte në detyrë. Nuk blindoja dyer unë, blind isha vetë unë. Nuk lëshoja zyrën unë, nuk bëja këtë frikacak që ja mbath. Jo unë në zyrë. Pse në zyrë? Se isha në të drejtën time, nuk i kisha borxh kujt”.

Në konferencën për mediat, lideri i opozitës komentoi edhe vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme që konfirmoi akuzat e tij lidhur me gjyqtaren Irena Gjoka për dënimin në Greqi.

“Dje shpërndanë konfirmimin e vonuar të Prokurorisë së Përgjithshme, pas 21 muajsh, për atë që ne kemi thënë që në mars të vitit 2024. Irena Gjoka ka vendim penal në Greqi si falsifikatore, si dhe dy dëbime nga shteti fqinj dhe zona Shengen”.

Lidhur me nismën e Donald Trump për krijimin e Bordit të Paqes ku ka ftuar edhe Shqipërinë, Sali Berisha tha se PD ende nuk e ka ndarë mendjen nëse do të votojë pro apo kundër aderimit në këtë organizatë të re ndërkombëtare.

“Parimisht ne mbështesim plotësisht përpjekjen dhe vlerësojmë lart përpjekjen për paqe në Gaza. Planin për paqe të presidentit Trump. Nuk di se cilat janë asgjë tjetër më shumë se kaq”.

Nxitimin e qeverisë për ta miratuar në Kuvend aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes Berisha e lidh me protestën e 24 Janarit.

“Tirana dhe Shqipëria do jetë e tëra në rrugë.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos