Në Divjakë, Kryeministri Edi Rama ua bëri të qartë fermerëve që nëse duan financime shtesë duhet të përgatisin projekte dhe të përfitojnë nga kreditë apo fondet e Brukselit, ndërkohë që Qeveria shpreson se fondet e projektit IPARD 3 do të zhbllokohen në shtator.
“Ne kemi vënë në dispozicion të bujqësisë 250 milionë euro që mund të shkojnë dhe 1 miliardë në rast se do konsumohen përmes Bankës së Shqipërisë në bankat e nivelit të dytë, ku të gjithë mund të shkojnë dhe të marrin kredi që janë me garanci nga shteti. Sa është shfrytëzuar kjo garanci? Shumë pak! Më shumë financim vjen nga instrumentet e tjerë, vjen nga linja e kredisë e Bankës së Shqipërisë. Vjen nga Banka e Zhvillimit që ne tani sapo e kemi krijuar, vjen nga AgroKrediti, vjen nga fondet e BE. Të gjitha këto të tjerat duan projekt. Pa projekt thuaj sa të duash, “jo na mbroni, jo kemi nevojë”, s’merr dot lekë aty”, tha Rama.
Pavarëisht kritikave, duket që ultimatumet e kreut të qeverisë ndaj kryebashkiakëve ende nuk i kanë shkundur ata që t’i vijnë në ndihmë fshatit: “Në këtë aspekt ka një mangësi që ende ne nuk po e adresojmë dot si duhet që është pushteti vendor. Sepse bashkitë dhe ju mund të krijoni nukle, struktura të përbashkëta, kompani të përbashkëta për të marrë këto financime. Kemi një numër qesharak fabrikash që përpunojnë prodhimet tona bujqësore, kjo është e papranueshme. Në rast se nuk plotësohen kriteret e sigurisë ushqimore të BE, ndalon shitja këtu, pra nuk shet do as këtu, jo më të shkosh atje, sepse je pjesë e tregut të BE. Natyrisht që kjo vjen pas një periudhe 15-vjeçare”.
Pasi mbaroi fjalën e tij, Kryeministri Rama u tha fermerëve që nuk do t’i dëgjonte shqetësimet e tyre pasi kishte axhendë. Një moment që irritoi një nga të pranishmit, që ia numëroi nga vendi shqetësimet e këtij sektori, pavarësisht insistimit të Ramës për të ikur.
Fermeri ngriti alarmin që produktet e importit në treg kanë lënë pa shitur produktet vendase. Për këtë mori një përgjigje të prerë nga shefi i qeverisë. Me t’u larguar Rama, edhe sinjali i regjisë u mbyll, teksa media e pati të pamundur të dëgjojë dhe përcjellë shqetësimet e dhjetra fermerëve të mbledhur në takim.
(A2 Televizion)