Protesta e radhës e Partisë Demokratike do të mbahet më 10 shkurt, njoftim që u konfirmua nga kreu i saj, Sali Berisha, në konferencën për shtyp me gazetarët.
“Ftoj të gjithë të rinjtë shqiptarë, burrat, gratë, të moshuarit, të bashkohemi në datën 10 shkurt, në ora 5 në Tiranë, për t’i dhënë leksionin e merituar kësaj organizate kriminale me në krye Edi Ramën”, tha Berisha, shkruan A2.
Kreu i PD-së komentoi deklaratën e raportuesit për Shqipërinë në PE, Andreas Schieder, i cili kishte kritikuar përdorimin e molotovëve në protestat e opozitës. Berisha replikoi se pret nga Schieder dhe Brukseli që t’i kërkojnë qeverisë shqiptare të respektojë standardin europian për dorëzimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë, duke iu referuar rastit të Belinda Ballukut: “Andreas Schieder është një zotëri i nderuar. Mendoj se shqiptarët prisnin prej tij dhe presin jo vetëm prej tij, por nga Brukseli, kërkesën për të mbrojtur standardin europian i cili edhe 12-13 vite më parë në këtë vend detyronte ministrat për koincidencë edhe zv/kryeministrin që kërkohej nga Prokuroria, të dorëzohej imuniteti, para se të votonte Parlamenti. Schieber, sikurse edhe zoti Gonzato, nuk e kanë kërkuar këtë”.
Socialistët i dhanë kohë deputetëve të PD-së për të vendosur nëse do të marrin pjesë në Komisionin e Reformës Territoriale, para se të ndryshojnë formulën e funksionit ndërtuar mbi barazinë e numrave.
Kërkesa erdhi nga vetë demokratët në Konferencën e Kryetarëve, Sali Berisha, ishte i prerë në përgjigjen e tij duke refuzuar pjesëmarrjen.
Revolta është rruga e përmbysjes së kësaj diktature autokratike, pohoi kreu demokrat Berisha në mbyllje të konferencës për shtyp. (A2 Televizion)