Pranohen kushtet e Lapajt. PD dhe aleatët gati të ulen në tryezë me partitë e tjera opozitare

Nga Arestina Skënderi
30 Janar 2026, 16:28 | Politikë

Demokratët dhe aleatët e tyre historikë pranuan iniciativën për të marrë pjesë në nismën për bashkimin e opozitës, ndërmarrë nga Ermal Hasimja. Ky i fundit njoftoi pas takimit që zhvilloi në selinë blu, se tryeza e dialogut do të mbahet nga përfaqësues të nivelit të dytë të partive, duke shmangur kështu prezencën e kryetarëve, kërkesë kjo e Adriatik Lapajt.

Ermal Hasimja vijoi takimet politike me përfaqësues të subjekteve opozitare, me synimin për t’i dhënë jetë nismës së tij, për bashkimin e një fronti unik përballë mazhorancës së Edi Ramës. Të premten ishte në selinë e PD, ku duket se gjeti dakordësinë e njerëzve të Berishës dhe aleatëve të tij tradicionalë.

Më pas edhe kryedemokrati konfirmoi se mirëpriste iniciativën, pa vendosur kushte, shkruan A2.

Për numrin dy të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ky bashkim vjen me vonesë, por megjithatë është i mirëpritur nga partia e tij.

Në ditët në vijim pritet që të mblidhen të gjitha partitë që duan të krijojnë një front të përbashkët politik, me qëllim rrëzimin e qeverisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos