Oerd Bylykbashi, nënkryetar i PD-së, u shpreh në Debat nga Alba Alishani se PD-ja propozon lista të hapura me standardin e 90% te vendeve të botës. Ai theksoi se kjo është propozuar edhe nga partitë e vogla.
Më tej, Bylykbashi tha se “ajo që ka bërë PS është thjesht ulje e pragut dhe kjo nuk është e lehtë për të nxjerrë kandidat”.
“Ajo që ne po përpiqemi të zgjidhim është se kush është mekanizmi për votën preferenciale të zgjedhësve. Ne kemi kërkuar që të jetë një zgjidhje me lista të hapura me standardin e 90 përqind të vendeve të botës. Vetëm 3 vende në botë që kanë listë të hapur 100%, Brazili, Finlanda dhe Letonia, të gjitha të tjerat kanë një prag në një formë të caktuar. Edhe Kosova ka një prag, i pari i listës është i blinduar, merr të gjitha votat e subjektit që s’ka emër.
Ka një dispozitë kushtetuese që imponon raporte, të paktën, garancish për listën se sa pjesë e saj duhet të jetë e hapur dhe PS nuk e respekton këtë. Ka propozim të këtillë të bërë nga partitë e vogla. Ajo që ka bërë PS është thjesht ulje e pragut dhe kjo nuk është e lehtë për të nxjerrë kandidat. A ka një prag në mesataren e vendeve europiane? Absolutisht që ka, dikush më shumë e dikush më pak”, tha Bylykbashi.
Por ku është PD-ja aktualisht dhe a duhet ta kishin gati në këtë moment këtë propozim? “Ka një dispozitë kushtetuese, e cila imponon një lloj zgjidhje. Ka një propozim të partive të vogla që i shkon kësaj linje, ka një propozim nga PS-ja dhe ne do të përpiqemi... nuk e di kush janë hapësirat nesër deri në mbyllje të këtij sesioni që grupi i dialogut të gjejë një formulë, e cila bën bashkë normën kushtetuese, interesin publik për hapjen e listave, kërkesën e opozitës dhe qëndrimin e PS-së për hapjen e listave”, tha Bylykbashi.
(A2 Televizion)