Tryeza e dialogut diskutoi votimin e shqiptarëve nga jashtë vendit. Në mbyllje të takimit, përfaqësuesi i opozitës, Oerd Bylykbashi, u shpreh se vota e diasporës duhet të bëhet realitet në vitin 2025, duke propozuar që regjistrimi të bëhet ndërmjet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe votimi me postë private.
“Opozita kërkon që filtri qeveritar i së drejtës së votës së diasporës të zhduket. Ne kërkojmë që KQZ që ka balancat e nevojshme dhe që do të shtohen sa na përket ne është një institucion që garanton më mirë këtë të drejtë dhe mbi të gjitha të shtrihet sa më gjerë. Është qesharake që sot sipas Ministrisë së Brendshme kanë të drejtë të votojnë vetëm 18 mijë shqiptarë nga ndoshta 1 milion e 800 mijë shtetas me të drejtë vote jashtë Shqipërisë. Ne diskutuam edhe mundësinë e votimit me postë ku kërkesa jonë është që të jetë një mekanizëm votimi me postë i besueshëm për palët, nëpërmjet një poste ndërkombëtare që posta të garantojë që fleta e votimit të vijë drejtpërdrejt në KQZ pa kaluar nga posta shtetërore e kontrolluar nga qeveria.”
Ndërkohë, kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi deklaroi pas përfundimit të tryezës së dialogut se koha për zbatimin e votimit nga jashtë është drejt limiteve. Sipas tij, shtyrja e ndryshime ligjore përtej këtij sesioni parlamentar do ta pamundësonte procesin.
“Në këtë takim me grupin negociator që çdo ditë që kalon e vë seriozisht në rrezik realizimin e votës së diasporës dhe nëse ne nuk do t’’i kemi rregullat për votimin nga jashtë brenda këtij sesioni të Kuvendit, për fat të keq thuajse me siguri absolute votimi nga jashtë nuk mund të realizohet në zgjedhjet e vitit 2025. Ajo çka unë propozova është që të jetë KQZ, ajo që administron kërk4esat e atyre votuesve që duan të votojnë jashtë territorit të Shqipërisë. Pra të gjithë këtë proces ta administrojë nga fillimi deri në fund institucioni i KQZ-së.” (A2 Televizion)