Dashamir Shehi, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se duhet një projekt politik për të bashkuar opozitën, pasi, sipas tij, nuk mblidhet më qark personave të caktuar.
“Bëhet një projekt politik, bëhet një projeksion politik që i mbledh njerëzit përqark ideve. Nuk mblidhemi më përqark personave. Mbaroi kjo punë dhe besoj është e qartë kjo pse nuk mblidhemi. Kush do të na mbledhë përqark personave po i bën një dëm të madh politikës”, tha Shehi.
Sipas tij, për shkak të emergjencave të shefave të partisë, PD-ja mbeti 13 vite në opozitë.
“Këtë emergjencën permanente, emergjencë para zgjedhjeve, emergjencë pas zgjedhjeve, për çfarë është kjo emergjenca? Unë kam dyshimin. Unë dyshoj për çdo gjë. A keni një dyshim ju që kjo lloj emergjence Rama-Berisha nuk ka një emergjencë të madhe se mund të jenë sistemuar bashkarisht: ai në pushtet dhe ky në opozitë. E s'ka ndonjë emergjencë të madhe këtu dhe pastaj ndërtojmë një emergjencë… Mos dil ti se është emergjente, mos dil ti tjetri se kemi halle të tjera. Mirëpo, në fakt realiteti po tregon që u bëmë 13 vjet ne këtu që dëgjojmë këtë emergjencë, që jetojmë në emergjencë, jetojmë në opozitë ne, jo në emergjencë, edhe si duket një pjesë prej këtyre emergjentëve nuk kanë ndonjë emergjencë të madhe se shumica janë dhe milionerë me thënë të drejtën. Emergjencë ka ai fukarai atje që është pa punë. Pse nguten këto kaq shumë, ta bëjmë me këtë datë, do ta rrëzojmë me datë 11, pastaj do ta rrëzojmë me 21, pastaj me 36… Për ç’na duhet kjo emergjencë, që të mos i bëjmë këto ligje, të mos i diskutojmë. Për arsye të ca emergjentëve, opozita ka humbur një shans të madh historik, për emergjencat e brendshme të PD-së e ka humbur. Kur e ka humbur? Në 2019 dolëm për emergjencë nga Parlamenti. Çfarë emergjence kishte për dalë? Asgjë. Në 2019 dolëm dhe nga zgjedhjet lokale. Çfarë emergjence kishte këtu? Ishte sistemi më i padrejtë se ky që është sot? Ky që është sot është akoma dhe më i padrejtë se ato që hyjnë aty në atë Parlament e bën edhe më lëtyrë atë ligj që ishte atje. Kush kishin emergjencë? Emergjencë kishin shefat e partisë, aty në betejë me njëri-tjetrin. Kishin dhe një emergjencë budallaqe brenda vetes duke menduar që tava del nga furra për ne. Nuk e ndajmë me të tjerët. Do ta marrim vetë të gjithën. Edhe morën vetëm tepsinë bosh. Ia lanë Edi Ramës. Mirëpo, ky lloj teatri nuk mund të vazhdojë përjetësisht. Ka katër vjet që bën emergjencë Partia Demokratike. Një herë për vulën, një herë për kryetarin... Tani, në këtë lloj vorbulle thotë “hajdeni edhe ju të tjerët se ne jemi shumica”. S'është më punë çete kjo. Kjo ka dhe një punë llogjike. Kur vijnë zgjedhjet nuk votojnë ato që vijnë nga oborri, votojnë qytetarët dhe fatkeqësisht me sa duket nuk është se qytetarët paskan një shpresë të madhe këtu se do i kishin mbytur rrugët e Tiranës me këto zullume që ka bërë ky”, u shpreh kreu i LZHK-së.
“Atëherë, unë them largohemi nga temat e lidershipit ideale të luftëtarëve që vetëm këto e thyejnë në dysh atë kriminelin e keq. Ta ndryshojmë këtë ligj zgjedhor që e dënoi me vdekje opozitën shqiptare, që ka marrë 600 000 vota dhe ka vetëm 50 deputetë. A do t'i japim shans që të çlirohen energji të reja, forca të reja në Shqipëri?”, shtoi më tej Shehi.
(A2 Televizion)