Politologu Afrim Krasniqi në studion e emisionit "Off the Record" nga Andrea Danglli, ka ngritur shqetësime të forta mbi mënyrën si po trajtohet reforma territoriale, duke theksuar mungesën e besimit dhe angazhimit nga faktorët ndërkombëtarë.
Sipas tij, reforma po ndikohet nga interesa të ngushta dhe jo nga nevoja reale e qytetarëve. “Koncepti i reformës deri tani, me çfarë unë shoh, është koncept përkrahjeje i një grupi të caktuar që ka interesa ekonomike, që pasi kanë mbyllur gjithë hapësirat publike të Tiranës dhe të Shqipërisë dhe qytetet bregdetare i kanë bërë të pabanueshme, tani janë kthyer bregdetit dhe janë i kthyer zonave fitimprurëse ku ka probleme”, u shpreh Krasniqi.
Ai solli edhe shembuj konkretë të problematikave në terren: “Nëse ne jetojmë këtu ku jemi, në qendër të Tiranës, dilni te bulevardi, te rruga që kemi përballë, trotuari përballë ka gjashtë muaj dhe s’ka mbaruar dhe nuk po mbaron dot. Kështu funksionon qeverisja vendore në Shqipëri. Nuk funksionon dot”.
Krasniqi kritikoi gjithashtu ndërhyrjet nga qeveria qendrore në kompetencat vendore: “Duhet një urdhër. Kryeministri del në Tiranë me kamera dhe thotë lironi trotuaret, hiqni verandat, bëni këtë. Ku ka kryeministër në botë që bën këtë gjë?”.
Sa i përket procesit të reformës, ai theksoi mungesën e përfshirjes reale të ekspertëve dhe klimën përjashtuese: “Po i fton edhe s’i dëgjon. Po ju thua bëni kështu dhe ju thua kush mendon ndryshe është i shitur”.
Në analizën e tij, një nga problemet kryesore mbetet mungesa e mbështetjes ndërkombëtare. “Ndërkombëtarët janë shumë të tërhequr dhe janë mosbesues dhe nuk duan të jenë pjesë e procesit”, deklaroi ai, ndërsa shtoi: “ka reduktim të madh të fondeve ndërkombëtare në lidhje me asistencën reale vendore, kështu që është përsëri lajm i keq”.
Në fund, Krasniqi nënvizoi nevojën për reflektim: “Ne kemi një fat, kemi dështuar dy herë dhe kemi mundësi të mos dështojmë për herë të tretë me të njëjtat gjëra, po të reflektojmë dhe të mësojmë”. (A2 Televizion)