“Ka dështuar”, Haxhimali tregon problemet e reformës territoriale: Janë dyfishuar punonjësit

Nga A2 CNN
9 Prill 2026, 20:47 | Politikë

Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive, Agron Haxhimali, nga emisioni "Off the Record" nga Andrea Danglli, ka kritikuar ashpër reformën territoriale, duke e cilësuar atë si të dështuar dhe me pasoja negative për qytetarët dhe administratën vendore.

Haxhimali u shpreh se ka qenë i angazhuar që në fillimet e reformës në vitin 2013, duke theksuar se në atë kohë është propozuar një model alternativ. “Thamë që modeli është i tillë që t'i mbajmë 65 bashkitë ekzistuese”, deklaroi ai, duke shtuar se synimi ishte ruajtja e një ekosistemi të krijuar për zhvillimin urban dhe administrativ.

Sipas tij, një tjetër ide ishte riorganizimi i komunave për të nxitur zhvillimin rural. “Pjesa tjetër thamë ato 308 komunat ne menduam t'i rigrupojmë dhe të krijonin njësi bashkiake… që të ishin nyje social ekonomike, politike për të nxitur atë dinamikën në pjesën më rurale”, u shpreh Haxhimali.

Ai theksoi se reforma nuk ka përmbushur pritshmëritë, sidomos në drejtim të kostove dhe administratës. “61 bashkitë nuk i përmbushën premtimet”, tha ai, ndërsa shtoi: “ Do shkurtojmë thotë 60 deri 80 milion euro nga shkurtimi i administratës në 373 njësi të qeverisjes vendore që në atë kohë ishte diku 20 25.000 21.000".

Sipas Haxhimalit, vetëm një pjesë e vogël e kësaj rritjeje lidhet me transferimin e funksioneve. “2500 3.000 janë shtuar si rezultat i transferimit. Pra pjesën tjetër i kanë shtuar”, u shpreh ai.

Në fund, ai ngriti shqetësimin për mungesën e përfitimeve për qytetarët: “Një reformë që nuk mban qytetarin… por e largon nga zona e vet”, duke theksuar se problem mbetet si ndarja territoriale, ashtu edhe menaxhimi i dobët i bashkive. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos