Reforma Territoriale, Muharremi debat me Muçollarin: Edhe 100 bashki të jenë ne fitojmë

Nga A2 CNN
9 Prill 2026, 21:13 | Politikë

Debati për reformën territoriale vijon të mbetet i fortë mes përfaqësuesve politikë, ku në "Off the Record" nga Andrea Danglli, Grigels Muçollari dhe Alfred Muharremi paraqitën qëndrime të kundërta mbi efektet dhe të ardhmen e saj.

Muçollari u ndal te arsyet e ndërmarrjes së reformës dhe rezultatet e saj, duke deklaruar: “Kishte dy kontekste. E para shpenzimet e mëdha për shpenzimet operative, kryesisht për zërin, paga. Dhe e dyta lidhej me një koncept të caktuar për t'i bërë super bashki të cilat të krijonin një pushtet më të fortë lokal të pavarur nga pushteti qendror”. Ai theksoi se qëllimet nuk u arritën, duke shtuar: “Në 2015, përpara se të zbatohej reforma, shpenzimet totale të të gjitha bashkive ishin 260 milion euro. Vitin e kaluar kanë qenë 900 milionë euro, mbi gjysma kanë qenë shpenzime operative, shpenzime për paga”.

Sipas tij, zgjidhja lidhet me rritjen e përfaqësimit lokal: “Konteksti pse sot duhet të jetë në njësi më të vogla territoriale është pikërisht koncepti normal i demokracisë funksionale për të afruar të zgjedhurin me zgjedhësin më afër”.

Nga ana tjetër, Muharremi theksoi se fokusi duhet të mbetet te qytetari dhe shërbimi ndaj tij, pavarësisht ndarjes territoriale. “Ne na intereson sherbimi i qytetarëve. I kemi të fituara ne, me 100 bashki, me sa mund të doni ju, me 61 sa janë sot, të fituara i kemi. Kemi bosht qytetarin ne, jo kë kemi përballë”, u shpreh ai.

Muçollari akuzoi mazhorancën për përdorim politik të reformës: “Ndërtoni ligje me porosi që t'ju shërbejë politikisht. Kërkesa e opozitës është të lidhet më afër votuesi me pushtet ushtruesin”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos