Debate tek Integrimi, opozita bojkot të pjesshëm. Tabaku dhe Paloka “përplasen” me deputetët e PS

Nga A2 CNN
30 Shtator 2024, 10:10 | Politikë

Debate tek Integrimi, opozita bojkot të pjesshëm. Tabaku dhe Paloka

Mbledhja e parë e shqyrtimit të draft Pozicionit Negociues për Grupimin e parë të kapitujve “Themelorët” për negociatat për anëtarësimin në BE në Komisionin e Integrimit Evropian u shndërrua në takim për debat politik.

Përfaqësuesit e opozitës kishin bojkotuar pjesërisht këtë mbledhje, ku morën pjesë vetëm Jorida Tabaku dhe Edi Paloka.

“Duhet siguruar që prokuroria dhe institucionet e drejtësisë të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe transparente, duke ruajtur çështjet e korrupsionit pa ndikime politike. Nuk mund të kemi integrim kur mungon shteti ligjor dhe kur opozita goditet politikisht”, tha Tabaku.

Ndërkohë, përfaqësuesit e mazhorancës kritikuan sjelljen e opozitës.

“Keni të drejtën tuaj për gjuhën dhe qëndrimin tuaj politik, por do t’ju lutesha që të paktën në këtë komision, kur mblidhemi për një proces që është i gjithë shqiptarëve, të bëjmë deklarata politike”, deklaroi Niko Peleshi.

Ndërsa Edi Paloka iu përgjigj: “Një vit para zgjedhjeve, të gjithë krerët e partive kryesore opozitare janë ose nën arrest ose në persekutim publik ose në çështje penale nga kjo drejtësia e reformuar”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos