Akademiku Luan Omari, një prej figurave të njohura të shkencës dhe jurisprudencës shqiptare është përcjellë dhe nderuar sot në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Profesori u nda nga jeta në moshën 101-vjeçare, por lë pas breza të tërë juristësh dhe akademikësh që sot mbajnë tituj dhe mësime prej tij.
Ai ishte i fundit ndër themeluesit e Akademisë së Shkencave, që nderohet në institucionin që bashkë me studiues të tjerë ndërtuan. Në Shqipërinë e pluralizmit mendimi i tij renditet ndër më aktivët në debatet dhe proceset për hartimin e Kushtetutës së Shqipërisë dhe legjislacionit pas viteve '90."ProfesorEmeritus" dhe "Doctor Honoris Causa", apo edhe urdhri "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" nga Presidenti i Republikës në vitin 2020 janë vetëm disa nga titujt që akademiku Luan Omari ka pranuar si vlerësime profesionale.
Por, kontributi më i madh mbetet te veprat që lë dhe brezat që përgatiti. Homazhet në nderim të punës dhe kontributit të akademikut Luan Omari kanë nisur me një ceremoni solemne në Akademinë e shkenca në ora10.00 të mëngjesit për t’u mbyllur në ora 13.00 me fjalën e përcjelljes nga kryetari i Akademisë Skënder Gjinushi.
Akademiku Luan Omari shërbeu si dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës për gati dy dekada, përfaqësoi Shqipërinë në Komisionin e Venecias pranë Këshillit të Evropës dhe është autor i dhjetëra studimeve dhe monografive mbi historinë e të drejtës në Shqipëri, të drejtën Publike e atë Kushtetuese, si dhe mbi sistemin juridik shqiptar.
Sot i është dhënë lamtumira e fundit profesorit që u kujdes për të drejtën, por edhe të fundit mes themeluesve të Akademisë së Shkencave. (A2 Televizion)