Dënimi me burg i Ervin Salianjin kënaqi Edi Ramën. Në një reagim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë e konsideron vendimin e Gjykatës së Apelit si drejtësi e çuar në vend, pasi dënimet e mëparshme të kundërshtarëve në syrin e tij kishin qenë të pa përfillshme.
“Në këtë vend ku për 34 vjet nuk ka mbetur i gjallë e i vdekur pa u ndotur nga llumi i lumit të atyre jashtënxjerrjeve të përditshme, e ku gjyqet e panumërta për shpifje ndaj politikanëve zgjasin me vite të tëra e pastaj kthehen në pesë me hiç kur shpifësit dënohen me ca gjoba simbolike, sot u ushtrua për herë të parë nga gjykatat e vendit e drejta e sanksionuar në ligj për dënimin penal të kategorisë më të neveritshme të Shpifjes, Kallzimit të Rremë”, tha Rama, shkruan A2 CNN.
Edi Rama shprehet se dënimi me 1 vit burg nuk do të sjellë ndryshime në artikulimin politik në vend, por e cilëson si një ditë të mirë për të vërtetën.
“Pavarësisht se vendimi i sotëm i gjykatës dhe dënimi i ligjshëm i një politikani të spikatur për veprimtarinë e palodhur dizinformuese deri në formën kriminale të Kallzimit të Rremë, përmes një dosjeje me fabrikime provash e dëshmish të rreme, nuk do të ndryshojë asgjë në aktivitetin e kancerit të Shpifjes që helmon përditë e më shumë gjakun e shoqërisë shqiptare falë edhe kanaleve të panumërta digjitale të dizinformimit, kjo është një ditë e mirë për të Vërtetën”.
Kryeministri nënvizoi se paditë ndaj kundërshtarëve nuk do të ndalen, ndërsa për median u shpreh se do të ishte tolerant në emër të lirisë së shtypit. (A2 Televizion)
Dënimi i Salianjit, burgu “kënaq” Ramën: Kjo është një ditë e mirë për të vërtetën
