“Denoncimet e tjera para SPAK”, Këlliçi: Dumani dhe PS janë në aleancë të hapur

Nga Anesti Barjamemaj
18 Korrik 2024, 14:35 | Politikë

Pavarësisht temperaturave të larta, demokratët dolën sërish në protestë para Bashkisë së Tiranës, me kërkesën e qartë largimin e Erion Veliajt. Këtë herë në duar nuk mbanin flamujt e Partisë Demokratike, por çadra për t’u mbrojtur nga dielli dhe me një mesazh për lirimin e Sali Berishës.

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, pohoi se kreu i SPAK, Altin Dumanit, është bërë njësh me Partinë Socialiste. Sipas tij Dumani të hënën në Kuvend mbrojti Partisë Socialiste dhe treguan se janë në aleancë.

“Mbrojtje dhe nënshtrim më të shpifur se sa ka bërë Altin Dumani ditën e hënë në Kuvend, duke mos dhënë asnjë përgjigje për vjedhjet e kësaj qeverie, për korrupsionin e kësaj qeverie, nuk kemi parë kurrë. Tregon se janë në aleancë të hapur me njëri-tjetrin”.

Këlliçi deklaroi se denoncimet për aferat korruptive do të vijojnë dhe kërkesat ndaj SPAK për informacion nuk do të ndalen.

“Do të fillojmë serinë e denoncimeve para zyrave të organizatës partnere PS, SPAK-ut, për të gjitha aferat e kësaj qeverie”.

Protesta e 16 para Bashkisë së Tiranës ishte më e qetë, ku munguan hedhjet e molotëve, djegia e gomave dhe përplasja me forcat e rendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos