Gazetarja e A2 CNN, Rosalba Bejdo, duke komentuar politikat e Presidentit Trump thekson se ai fitoi zgjedhjet me premtimin se do ta mbante Amerikën larg konflikteve të gjata, por tashmë vendi është përfshirë në një luftë pa një fund të qartë.
Duke folur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Bejdo vuri në dukje se pavarësisht muajve të bombardimeve nga SHBA-ja dhe Izraeli, nuk mund të thuhet se programi bërthamor i Iranit është shkatërruar.
Ajo shton se Tehrani ka treguar një rezistencë, që as Trump s’e kishte parashikuar në nisje të luftës.
“Nuk mund ta kritikojmë z. Trump pse nuk i dha fund luftës për 24 orë në Ukrainë, ama duhet të theksojmë që ai ishte një President që fitoi zgjedhjet dhe bëri fushatë, pikërisht me pretendimin se do ta shkëpuste Amerikën nga përfshirja në luftërat e gjata, me të cilat amerikanët janë lodhur, dhe ndërkohë e ka përfshirë Amerikën në një luftë që ende s’po gjen fund. Sepse e nisi luftën dhe bombardimin e Iranit me një pretendim që do të shkatërronte programin bërthamor. Sot, pas disa muajsh luftë, pas një sërë sulmesh amerikane, sulmeve nga Izraeli, lëkundjen e ekonomisë globale, të një rajoni të tërë, ndryshimin e balancave në këtë rajon, nuk mund të themi që Irani ka një program të asgjësuar bërthamor. Madje Irani ka treguar një rezistencë të cilën z. Trump nuk e kishte parashikuar në nisje të kësaj lufte, i ndikuar edhe nga aleati i tij Netanjahu, që e kishte bërë të besonte se udhëheqja iraniane ishte në një moment të brishtë”. (A2 Televizion)