Depozitohet në Kuvend projektligji për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga propaganda gjinore

Nga A2 CNN
30 Prill 2026, 20:48 | Politikë

Depozitohet në Kuvend projektligji për mbrojtjen e fëmijëve

Është depozituar në Kuvend projektligj i ri që synon mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve deri në moshën 22 vjeç nga përmbajtje që lidhen me identitetin gjinor, seksualitetin dhe ndryshimet e karakteristikave biologjike, të cilat konsiderohen të papërshtatshme për moshën dhe zhvillimin e tyre.

Lajmi është publikuar në rrjetet sociale nga deputeti demokrat Tritan Shehu, sipas të cilit projektligji parashikon kufizime në sistemin arsimor parauniversitar dhe universitar, duke ndaluar përfshirjen në kurrikula, tekste dhe aktivitete të koncepteve që lidhen me identitetin gjinor të ndryshueshëm, ndryshimin e seksit apo forma alternative të familjes jashtë modelit tradicional. Po ashtu, kërkohet që arsimi të mbetet i fokusuar në standarde shkencore dhe zhvillimore të përshtatshme për moshën.

Një pjesë e rëndësishme e draftit lidhet me rolin e prindërve, duke e bërë të detyrueshëm informimin paraprak dhe dhënien e pëlqimit me shkrim për çdo aktivitet edukativ që trajton çështje të ndjeshme, si edukimi seksual apo shëndeti riprodhues. Institucionet arsimore do të duhet të garantojnë transparencë të plotë mbi materialet dhe programet e përdorura.

Projektligji parashikon gjithashtu ndalimin e shpërndarjes së përmbajtjeve të tilla në media, rrjete sociale dhe hapësira publike kur ato janë të aksesueshme nga të miturit, si dhe kufizime për pjesëmarrjen e tyre në aktivitete që trajtojnë këto tema.

Në aspektin shëndetësor, drafti vendos kufizime të forta për ndërhyrjet medikamentoze, kirurgjikale apo psikologjike që lidhen me ndryshimin e karakteristikave seksuale për personat nën 22 vjeç, duke i lejuar vetëm në raste të domosdoshme mjekësore dhe me vlerësim të specializuar.

Shkeljet e dispozitave të parashikuara do të shoqërohen me gjoba dhe masa administrative për individët dhe institucionet. Projektligji pritet të diskutohet në komisionet parlamentare përkatëse përpara se të kalojë për votim në seancë plenare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos