Deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi tha në emisionin “Terminal” nga Aurora Sulçe në A2CNN se dy delegacione me përfaqësues nga BE do të vijnë në Tiranë brenda muajit shkurt. Sipas deputetit ata do të kenë një mision faktmbledhës në Tiranë, pasi ka diskordancë mes raporteve që dërgon shteti shqiptar në Bruksel dhe realitetit në terren.
“Edhe në fund të këtij muaji vjen një delegacion tjetër nga Partitë Popullore Europiane, në datë 17 vjen një delegacion me 8 europdeutetë, kryesohet nga David McAllister, kreu i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian. Do bëjnë një mision faktmbledhës në Shqipëri, për të parë realitetin në raport me raportet që çon qeveria shqiptare. Edhe unë kam qenë pjesë e disa takimeve, kam qëlluar në një takim të përbashkët në Kongres Amerikan, në një moment kur qëlloi edhe kreu i Kuvendit të Shqipërisë, dhe në mënyrën si u përshkrua Shqipëria më mbeti vetëm pyetja në fund, për cilin vend po flitet, të shkojmë edhe ne, se vetëm Shqipëria nuk është.
Ka diskordancë të jashtëzakonshme midis raporteve që çon shteti shqiptar, institucionet e shtetit shqiptar, në raport me realitetin në terren, dhe për këtë arsye ata vijnë për të parë realitetin në terren se ku është Shqipëria sa i përket standardeve demokratike, zgjedhjeve, lidhjeve me krimin e organizuar dhe lidhjeve me drogën. Në kuadër të po këtij qëndrimi dhe misioni, në fund të këtij muaji do të vijë një delegacion shumë herë më i madh, me 27 përfaqësues nga 27 parti nga Parlamenti Europian dhe vendet e BE-së, që kanë të bëjnë me PPE-në, që do bëjnë të njëjtin factchecking. Të gjitha ndodhin deri në fund të këtij muaji”, tha Këlliçi. (A2 Televizion)