Deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi tregoi në emisionin “Terminal” nga Aurora Sulçe në A2CNN disa detaje lidhur me skenarin e protestës së ardhshme të thirrur nga opozita më 20 shkurt.
Sipas Këlliçit protesta do të jetë më intensive se ajo e datës 10 shkurt, si në formën logjistike, ashtu edhe atë organizative dhe reaguese. Deputeti demokrat tha ndër të tjera se njerëzit kërkojnë radikalizim të aksionit të PD-së.
“Do jetë protestë edhe më intensive se ajo e datës 10 shkurt, në të gjitha format, logjistike, organizative dhe reaguese. Kaq mund të them. Njerëzit s’janë lodhur, përkundrazi, janë më kërkues ndaj nesh, dhe janë më të motivuar për të ardhur në protestën e radhës. Kërkojnë radikalizim tonin. Radikalizimi do të ndodhë edhe në protestë, ua garantoj, do të ndodhë edhe në sallën e Parlamentit, do të ndodhë edhe në Këshillin e Rregulloreve dhe Mandateve, kudo ku ne kemi mundësi, do të ndodhë.
Duke folur për çadrën e ngritur para Kryeministrisë nga ish-kreu i PD-së Lulzim Basha në vitin 2017-të, Këlliçi tha: “Çadra bëri shumë efekt, por mbyllja e asaj lëvizje, u mbyll në mënyrën më të gabuar”, tha Këlliçi. (A2 Televizion)