Tedi Blushi, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, deklaroi se seanca e parë në gjyqin e Ilir Metës nuk e ka habitur aspak.
“Nuk kishte asnjë surprizë nga drejtësia me regji. Kjo seancë e parë nuk na surprizoi në raport me atë që prodhoi: paligjshmëri, shkelje të Kushtetutës dhe shkelje të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut”, tha Blushi në studion e “Ditarit” të pasdites nga Pandi Gjata, në A2CNN.
“Çfarë gjëje i trembet gjykata që nuk e lejon median ta transmetojë live seancën? Sigurisht që trembet sepse aty do të jepen prova ligjore, si letërporosia që 3 prokurorë të SPAK-ut i kanë dërguar autoriteteve amerikane dhe i kanë mashtruar, duke i thënë që Meta ka përdorur 3 karta bankare, kur ai nuk ka përdorur kurrë asnjë kartë shqiptare, jo më amerikane. Prandaj nuk duan t’i bëjnë gjyqet e hapura, i duan bunker, në mënyrë që këto fakte të mos i mësojnë shqiptarët”, tha më tej Blushi.
Kur u pyet nëse për ta dërguar çështjen në Strasburg po pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, Blushi u përgjigj: “Mbrojtësit ligjorë janë të detyruar të ndjekin të gjitha hapat, por vendi nuk ka më Gjykatë Kushtetuese. Strasburgu është një betejë e fituar, jo për shkak të dëshirës sonë, por sepse i gjithë procesi ka pasur shkelje flagrante të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Cila gjykatë ndërkombëtare mund të certifikojë një proces gjyqësor ku zoti Meta mbahet në kafaz, kur edhe Toto Rina nuk mbahej në kafaz”. (A2 Televizion)