
Ecuria e reformave dhe avancimi i procesit të integrimit europian të Shqipërisë, ishin në fokus të diskutimeve në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar socialit. Këtë bëri të ditur kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, përmes një videomesazhi në rrjetet sociale, shkruan A2 CNN.
Sipas tij gjatë mbledhjes u raportua nga ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha dhe kryenegociatorja Majlinda Dhuka mbi progresin e negociatave me Bashkimin Europian, kalendarin e reformave dhe masat që duhen ndërmarrë në këtë fazë vendimtare.
“Kemi vazhduar me raportim dhe informim shumë të dobishëm nga 2 ministrat, ministri për Europën dhe Punët e Jashtëm dhe Kryenegociatorja, lidhur me ecurinë e negociatave për kalendarin e reformave, dhe masave të tjera të reja që nevojiten në këtë fazë të rëndësishme, të përmbushjes së aspiratës historike shqiptarëve për anëtarësim në Bashkimin Europian, jemi në një moment të rëndësishëm ndërkohë që piketa të ndërmjetme, pra themelet e Shqipërisë europiane janë gati për tu raportuar dhe për të marrë konfirmimin e Bashkimit Europian dhe për të shkuar më tej me fazën tjetër që është përmbyllja e kapitujve”, tha Balla, përcjell A2 CNN.
Një tjetër çështje e rëndësishme e mbledhjes, sipas Ballës, ishte adresimi i problematikave që deputetët ngrenë nga zonat e tyre zgjedhore, duke theksuar nevojën për koordinim më të fortë me ministritë përkatëse.
“Po aq e rëndësishme ishte edhe raportimi i cili erdhi nga sekretaria e grupit parlamentar dhe që ka të bëjë me të gjitha problematikat që deputetët ngrenë për zonat e tyre, sepse shumë e rëndësishme që çdo problem që vjen nga zonat zgjedhore, pra nga 12 qarqet e vendit, të adresohet në komunikimin me ministrat”, u shpreh Balla.
Ai u ndal edhe te rëndësia e “Majit të Europës” dhe 35-vjetorit të Partisë Socialiste, duke nënvizuar se vitet 2026-2027 janë kyçe për përmbylljen e marrëveshjes së anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. (A2 Televizion)