
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar me një postim në rrjetin social X, pas takimit me kryetarin e Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Në postimin e tij, Hoxha thekson se bashkimi mes shqiptarëve është më i fortë se çdo përçarje. “Askush nuk na ndan, asgjë nuk na përçan, sepse ajo që kemi të përbashkët vetëm na bashkon”, shprehet ai, shkruan A2 CNN.
Reagimi i Hoxhës vjen disa ditë pasi deputetë të Partisë Demokratike publikuan mesazhe në rrjetet sociale, ku pretendohej se ministri i ishte drejtuar shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut me fjalë fyese: “Po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë”.
Ndërkohë gjatë një deklarate për mediat krah kryetarit të komunës së Çairit Izet Mexhiti, Hoxha i pyetur në lidhje me mesazhin theksoi se "bëhet fjalë për një tymnajë të tejkaluar".
Postimi i Ferit Hoxhës:
Askush nuk na ndan, asgjë nuk na përçan, sepse ajo që kemi të përbashkët vetëm na bashkon.
Një takim i mirë, i parë por përmbajtësor sot me Izet Mexhitin, Kryetarin e komunës se #Çairit, Kryetar i Lëvizjes Demokratike dhe bashkë lider i #VLEN, për të diskutuar mbi një mori çështjesh me interes të ndërsjelltë.
Pozita dhe të drejtat e shqiptarëve në #Maqedoninë e Veriut janë të garantuara me #Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Këto të drejta duhet të mbrohen dhe të ushtrohen plotësisht në këtë frymë, në të mirë të të gjithë qytetarëve të cilëve u përkasin, por edhe si një investim i sinqertë për forcimin e demokracisë, institucioneve demokratike, karakterit multietnik të vendit dhe të ardhmes sonë të përbashkët evropiane.
E kam thënë dhe dua ta përsëris: nëse nuk do të jemi në gjendje të ruajmë të arriturat e fituara me aq mund sic janë përdorimi, zhvillimi dhe trashëgimi i gjuhës shqipe si dhe përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, nëse kujdesemi për të mirën e përbashkët, nëse nuk bashkohemi për gjithçka që shkon përtej dhe qëndron më lart se çdo individ, çdo grupim politik apo dallim ideologjik, atëherë përgjegjësia do të jetë vetëm e jona.
Mora sigurinë nga z. Mexhiti se ai, partia e tij dhe koalicioni i VLEN janë dhe mbeten të angazhuar për të mbrojtur dhe zhvilluar më tej të drejtat dhe pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke garantuar #barazi, përfaqësim të drejtë dhe avancim të vazhdueshëm në të gjitha sferat e jetës publike.
Prandaj duhet të jemi në gjendje dhe të aftë të dialogojmë, së pari me njëri-tjetrin, të bashkohemi rreth asaj që kemi të përbashkët, sepse ajo na mban dhe na forcon më shumë se çdo gjë tjetër.
Na duhen më pak fjalë e më shumë punë.
Sepse në këtë mënyrë zhvillohemi e përparojmë, dhe njëkohësisht ndërtojmë edhe një marrëdhënie më të fortë, më bashkëpunuese dhe më miqësore me Maqedoninë e Veriut, vend fqinj, vend aleat, partner i ngushtë dhe bashkëudhëtar në rrugëtimin tonë #evropian.
#Bashkë (A2 Televizion)