Dervishi: Deputetët sot shkuan në klasë të parë, ishte një lloj autoskaneri që i bënë vetes

Nga A2 CNN
14 Maj 2026, 21:40 | Politikë

Gazetari Lutfi Dervishi deklaroi se sot Kuvendi ishte “më normal” se herët e tjera.

Duke komentuar rezolutën e integrimit të votuar me konsensus, Dervishi u shpreh kështu në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN: “Duke e ndjekur Kuvendin sot, pashë një Kuvend më normal se ç’e kam parë herët e tjera. Pashë, ndoshta për herë të parë, kryetari i Kuvendit përpiqet të zbatojë rregulloren edhe ndaj shumicës, se deri tani duket sikur rregullorja ishte vetëm për disiplinën e opozitës. Pashë që nuk e kishte problem kohën, tha që grupi parlamentar i PS-së le t'i japë një minutë kryetarit të Partisë Demokratike. Pra, tregon një lloj përpjekjeje për të qenë një vend normal”.

Më tej, Dervishi shtoi: “Cila është detyra e Kuvendit? Nga shpirti i del përfaqësuesit thotë “të bëjë ligje” dhe harron misionin mbikëqyrës. Tani, Parlamenti thotë “ne do të mbikëqyrim ekzekutivin”. Domethënë, është si të shkosh në klasën e parë dhe të thuash do të bëjmë detyrat, do të mësojmë abetaren. Pastaj, thotë “ne do të zbatojmë vendimet e gjykatës”. Fundi i një shteti është kur nuk zbatohet vendimi i gjykatës. Shteti nuk funksionon kur vendimi i gjykatës nuk zbatohet. Tani, Parlamenti del dhe bën rezolutë dhe votohet atje që do t'i zbatojmë vendimet e gjykatës. Pra, në një farë mënyre ajo ishte si të thuash edhe një lloj autoskaneri që i kanë bërë vetes”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos