Gazetari Neritan Sejamini e cilësoi rezolutën e integrimit që u miratua me konsensus në Parlament si “komplet të parëndësishme” dhe shtoi se Kuvendi ka 3 detyra kryesore për të pëmbushur nëse duam të futemi në Bashkimin Europian.
“Kjo rezoluta e sotme është komplet e parëndësishme. Nuk ka asnjë vlerë. Më duket qesharake që Parlamenti bën një rezolutë ku i cakton vetes detyrat kushtetuese, premton që do i lërë hapësirë opozitës… Ka ndonjë gjë aty në rezolutë që nuk është detyrim kushtetues i Parlamentit? E dyta, janë bërë nja 10 rezoluta në Parlament për integrimin. A ka ecur integrimi? Ai Kuvend duhet të dijë se çfarë kushtesh kemi, por ky Parlament nuk e ka idenë sot sepse qeveria e ka lënë në hije dhe e ka shpërfillur krejtësisht institucionin më të rëndësishëm”, tha fillimisht Sejamini në studion e “Off the Record nga Andrea Danglli, në A2CNN.
Më tej, Sejamini shtoi: “Bashkimi Europian ka thënë se ka një sërë ligjesh që duhet të shfuqizohen, ligji i investimeve strategjike dhe paketa e maleve. Në vend që të na thotë se kur do të shfuqizohen këto ligje, Kuvendi na bën rezoluta. Do të integrohesh? Kuvendi të shfuqizojë ato ligje, kjo është detyra e Kuvendit. Të përshtasë kushtet që janë vënë dhe jo të bëjë llogje me rezoluta. Parlamenti ka disa detyra thelbësore, nuk merret fare me këto, por bën rezoluta. Ky Kuvend është bërë një makineri ku miratohen ligje me seri, pa parë fare se çfarë po miratohet. Vijnë ligjet nga jashtë, shkelet procedura parlamentare dhe i miraton në seri. Parlamenti ka detyra që ne të integrohemi: t’i kërkojë qeverisë dhe të bëjë publik pozicionin negociues të Shqipërisë me BE-në në të gjitha fushat; të shfuqizojë të gjitha ligjet që janë vënë kusht nga BE-ja; të vendosë procedura transparente për ato ligje që do miratohen në emër të integrimit në BE. Po i bëri këto 3 gjëra, atëherë ka bërë një hap drejt integrimit. Nëse nuk i bën, mund të bëjë pastaj 100 rezoluta me nga 140 vota përditë, por nuk do të ndodhë asgjë”. (A2 Televizion)