Detaje të tjera kanë dalë në dritë nga mbledhja e djeshme e takimit të zgjeruar të grupit socialist. A2 CNN mëson se Rama nuk e ka fshehur shqetësimin e luftës së brendshme brenda PS.
Sipas burimeve të A2 CNN, Rama mësohet të ketë thënë që “nëse nuk ruajmë imunitetin dhe të kemi qëndrime të unifikuara, PS rrezikon të fragmentizohet më keq se kundërshtarët”.
Burime për A2 CNN bëjnë të ditur gjithashtu se në takimin e Asamblesë së PS-së në njësinë 5 që u zhvillua dje pas mbledhjes grupit, socialisti Erion Braçe gjatë fjalës së tij, është vetëofruar si kandidat për Bashkinë e Tiranës, deri tek mundësia për te dalë si kandidat i pavarur.
Pas kësaj deklarate, ku fjalët e tij kanë qarkulluar brenda PS-së, Braçe ka reaguar përmes një mesazhi në rrjetet sociale, duke theksuar rëndësinë e hapjes në parti. Sipas tij forcimi i Partisë Socialiste vjen përmes pranimit të të gjithë atyre që duan të zhvillohen dhe të zhvillojnë idetë me PS-në.
“Forcimi i PS duke u hapur, pranuar, përfshirë të majtë që duan të zhvillohen e të zhvillojnë idetë e tyre bashkë me PS, ishte një tjetër qëllim i mirë për të cilin folëm e do flasim edhe më tej. Karriget nuk janë kurrë qëllim, puna e punët vlejnë”, shkruan Braçe në një postim në rrjetet sociale, pas Asamblese Socialiste të njësisë 5 ku drejtues politike me te jane edhe Taulant Balla e Fatmir Xhafaj.
(A2 Televizion)