Deputetët e Partisë Demokratike nuk do të marrin pjesë ne procesin e votimit për Avokatin e Popullit në seancën e të enjtes, ndonëse ka dhënë firmat për të gjitha kandidaturat që do të hidhen në votim. Sali Berisha në një konferencë për mediat, tregoi qëndrimin e demokratëve duke thënë se nuk bëhen pjesë e asaj që e quan farsë.
“Ne tërhiqemi totalisht nga procesi. Ne nuk jemi më palë në procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit. Kjo është një histori e turpshme e Edi Ramës, që u përpoq, por ne absolutisht në një farsë nuk marrim pjesë”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.
Berisha është i bindur se avokati i ri i popullit do të jetë Endri Shabani, për të cilin gjithashtu demokratët kishin dhënë fimrat e më pas u tërhoqën. “Është Endri Shabani...Ky është një turp i tyre”.
Lideri i opozitës në konferencën për mediat komentoi edhe përplasjen mes kreut të qeverisë dhe gjyqësorit. “Sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese në këtë çështje janë të papara ndonjëherë në historinë e këtij vendi. Kërcënimet, paritja dhe metoda të tjera kriminale po përdoren nga mëngjesi gjer në darkë. Pikërisht për shkak të tyre, Gjykata, në kundërshtim me çdo ligj dhe precedent, pranoi të shqyrtojë kërkesën dhe u dha edhe kohën e mjaftueshme për të ushtruar të gjitha format e presionit”.
Pas konferencës për mediat Berisha mblodhi edhe koordinatorët e qarqeve të cilët do të jenë përgjegjës për analizën e zgjedhjeve të 11 Majit. (A2 Televizion)