Diaspora do të mund të nisë regjistrimin për zgjedhjet në datën 11 janar të vitit 2025

Nga Arestina Skënderi
16 Dhjetor 2024, 14:59 | Politikë

Ky lajm u dha nga kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, në në komisionin parlamentar për Diasporën, ku theksoi se para datës 25 dhjetor do të ketë një demonstrim të funksionaliteteve të platformës elektronike të quajtur PER, shkruan A2 CNN.

“Besoj që para Krishtlindjeve do të kemi një demonstrim të funksionaliteteve të këtij sistemi, me qëllim që në datën 11 janar kjo platformë të jetë funksionale dhe, ashtu sikurse e ka parashikuar Kodi Zgjedhor, të fillojë procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë”, tha Celibashi.

Pas kërkesës së KQZ-së që të gjitha shpenzimet e votës së Diasporës, pra dërgimi dhe kthimi, të mbuloheshin nga shteti shqiptar, Celibashi nënvizoi se qeveria ka përcaktuar një zë në buxhet për këtë proces, por është e nevojshme një ndërhyrje në Kodin Zgjedhor.

Celibashi sqaroi: “Për shërbimin postar kemi pasur bisedime me qeverinë dhe partinë në pushtet, që për të paktën këtë proces, kostoja e dërgesës dhe mbërritjes në Shqipëri të postës ta paguajnë ata. Dhe duket se e kemi dakordësinë për këtë, pasi edhe në buxhetin e miratuar ditë më parë në Parlament është vënë në dispozicion buxheti për tarifën postare, si për dërgimin, ashtu edhe për kthimin. Por kemi nevojë që të ndryshojë ligjërisht edhe Kodi Zgjedhor për shërbimin e kthimit mbrapsht të fletës së votimit.”

Pikëpyetjet kryesore të ligjvënësve opozitarë të nënkomisionit ishin nëse KQZ garanton fshehtësinë e këtij procesi. Celibashi pohoi se deri më tani çdo akt i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është në përputhje me ligjin për garantimin e votës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos