Tradita shumëvjeçare nuk u prish as këtë herë. Sali Berisha bashkë me drejtues lokalë të PD dhe kandidatë për deputetë, Ditën e Verës vizituan Elbasanin, shkruan A2 CNN. Nga sheshi kryesor i qytetit, lideri opozitar pati një urim për të gjithë shqiptarët.
“Dita e Verës e gjen Elbasanin, i gjen shqiptarët më optimistë, më besimplotë se kurrë në ndryshimin e madh të 11 majit. Kjo ditë frymëzon çdo shqiptar që me 11 maj të ndahet nga ky regjim që i varfëroi ata gjer në palcë”, tha Berisha.
Teksa premtoi se vitin e ardhshëm, Dita e Verës do t’i gjejë shqiptarët më mirë, kryetari i PD ftoi të gjithë që të bashkohen. Një mesazh të veçantë e kishte për deputetit e qarkut të Elbasanit, Dashnor Sula, i cili e braktisi pasi mësoi se nuk do të ishte në listën e sigurt të PD, duke kaluar me koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet”. “Ai bëri zgjedhjen e tij, midis betejës në sheshin e burrave zgjodhi Tikun dhe iku në punën e tij, ka kohë ta mendojë”, tha Berisha.
Sërish Berisha ftoi shqiptarët që të mos votojnë për asnjë subjekt tjetër opozitar përveç koalicionit të Partisë Demokratike, pasi sipas tij janë patericë e pushtetit të Ramës. (A2 Televizion)