
Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në nënshkrimin e partneritetit të ri ndërmjet shtetit, sistemit bankar dhe sipërmarrjes shqiptare për Programin Kombëtar të Financimit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”.
Në fjalën e mbajtur Rama e konsideroi “një ditë të shënuar për sipërmarrjen shqiptare”, duke theksuar se do të financohen ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, që janë motori i ekonomisë sonë. Kreu i qeverisë tha se për këto ndërmarrje do ketë një linjë kredie me interes 2-3 për qind, dhe ku qeveria do vendosë një garanci sovrane për bankat.
“Është një ditë e shënuar për sipërmarrjen shqiptare. Marrëveshja e sotme është një marrëveshje për të financuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që janë motori i ekonomisë sonë. Personalisht kam mundur të shoh një sërë ndërmarrjesh të vogla, që bazuar në eksperiencën e shqiptarëve dhe shqiptareve të kthyer nga emigracioni, bazuar në shpirtin inovativ dhe vullnetin për të bërë dicka domethënëse në komunitet dhe për të punësuar familjen dhe njerëzit përreth, kanë qenë eksperienca të jashtëzakonshme, prekëse dhe ndërkohë eksperienca që me kanë treguar qartësisht se me një mbështetje financiare të arsyeshme, ato ndërmarrje mund të rriten dhe të sjellin të reja kuptimplota për ekonominë tonë", u shpreh kryeministri.
Kreu i qeverisë theksoi se ekonomia shqiptare është në gjendje të shëndetshme dhe me potencial rritjeje, që tregohet nga kapaciteti i dyfishuar financues i ekonomisë.
"Problemi ka qenë financimi i aksesueshëm dhe i arsyeshëm. Kështu ka lindur edhe ky projekt, që fillimisht ishte i dedikuar për bujqësinë, nga i cili nxorrëm mësimet tona, dhe sot është kthyer në një program shumë serioz mbështetje të qeverisë, për të gjitha ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Brenda një kohe shumë të shkurtër pas firmosjes së kësaj marrëveshje, do ketë një program që ua dyfishon ndërmarrjet e tyre. 5 vjet më parë kredia në Shqipëri ka qenë rreth 5 miliardë euro. Sot është 10 miliardë euro, jemi në një dyfishim të kapacitetit financues të ekonomisë nga bankat e nivelit të dytë, që tregon se ekonomia është në gjendje të shëndetshme me potencial të madh rritje. Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do jetë një linjë kredie me interes minimal 2 për qind dhe maksimal 3 për qind, e shoqëruar me garanci sovrane nga qeveria, nga 30-70 për qind, sipas nivelit të riskut”, tha Rama. (A2 Televizion)